Florian Hahn, zëdhënës për Europën në grupin parlamentar të CSU në Bundestagun gjerman ka vijuar takimin me kreun e shtetit Ilir Meta.

“Gjithmonë kënaqësi të takosh Florian Hahn, një mik i mirë i Shqipërisë. Qasja strategjike e Bashkimit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë do të nxiste zbatimin efikas të reformave kyçe, tashmë të qarta për ne”, është shprehur Meta.

Presidenti theksoi se çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE gjatë Këshillit të qershorit do të ishte qasja më e mirë strategjike për vendin dhe për BE-në, duke patur parasysh se Shqipëria i ka shumë të qarta sfidat që duhet të kapërcejë për përparimin në hapat e mëtejshëm të procesit.
Kreu i Shtetit shtoi se procesi i negocimit për çdo kapitull është një mekanizëm efikas si për arritjen e rezultateve konkrete ashtu edhe për një monitorim më të afërt dhe bindës për çdo vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Në përgjigje të interesit mbi reformën në gjyqësor, Presidenti Meta vuri në dukje se procesi i vetingut duhet të nxjerrë më shumë në pah vlerësimin mbi nivelin e profesionalizmit dhe cilësinë e vendimeve gjyqësore, të cilat janë kyç për besueshmërinë e publikut tek institucionet e drejtësisë.

Top Channel