I përzgjedhuri i “Lëvizjes 5 yjet” dhe “Lega Nord”-it për postin e kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte mori një ditë më parë pëlqimin e presidentit Sergio Mattarella.
Ngurrimi i këtij të fundit përballë jetëshkrimit të zbukuruar të juristit 54-vjeçar nuk i zmbrapsi dy partitë e kompromisit politik për bashkëqeverisje, të cilat këmbëngulën të ishte pikërisht ai, njeriu që do të drejtojë ekzekutivin e ri të vendit.
Conte ka marrë edhe bekimin e themeluesit të “5 yjeve”, Beppe Grillo, që shkroi në blogun e tij: Dërguam përpara presidentit të Republikës një njeri që nuk do të na e marrë fytyrën përpara botës, sepse tek ai nuk ka asnjë gjurmë posesiviteti nga ato që gjenim te shumica dërrmuese e paraardhësve të tij.
Sërish një profesor diskutohet të drejtojë Ministrinë kyçe të Ekonomise. Por, Paolo Savona nuk shihet me sy shumë të mirë nga “Quirinale” për shkak të kundërshtimit të fortë të Euros.
Udhëheqësi i “Lega”-s, Matteo Salvini vazhdon ta përsërisë që “Savona nuk preket”. Ai është pjesë e asaj që legistët e quajnë “triada”, së bashku me Enzo Moavero Milanesi dhe Giampiero Massolo. Formula e ndjekur në këtë rast prej tyre është “O rrinë bashkë, o bien bashkë”.
Situata e krijuar sot në Itali është pasojë e mungesës së besimit te politikanët, që zgjedhësit në vend i quajnë me përbuzje “kastë”, e si për t’i ndëshkuar sollën në pushtet populistët nacionalistë të së majtës dhe të së djathtës.
Në Bruksel nuk shprehen hapur, por është e qartë se ekziston shqetësimi që populistët mund ta bëjnë shpejt të lëkundet Eurozonën, me një politikë të papërgjegjshme financiare.
Në BE kanë nisur që tani të bëjnë llogaritë, sepse Italia, një prej vendeve themeluese të bllokut, ka borxhe që i kapërcejnë kufijtë dhe në rastin e një skenari të ngjashëm me Greqinë do të ishte e pamundur të mbuloheshin edhe italianët me një ombrellë të njëjtë shpëtimi.
Top Channel