Lufta kundër krimit të organizuar, nënshkruhet me Holandën “Letra e Qëllimit”

24/05/2018 10:01

Dy ministrat shqiptarë, ai i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe ajo e Drejtësisë Etilda Gjonaj kanë nënshkruar një dokument bashkëpunimi në luftën kundër krimit ndërkombëtar me ministrin e Sigurisë dhe Drejtësisë holandez, Ferdinand Grapperhaus.

Përmes kësaj Letre Qëllimi, siç quhet dokumenti, palët konfirmuan interesin e përbashkët për rritjen e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, sidomos një lufte më efektive kundër krimit ndërkombëtar.

Ministrat u dakordësuan gjithashtu mbi nevojën e rritjes së mëtejshme të komunikimit dhe identifikimit të mënyrave të reja të bashkëpunimit institucional dhe operacional.

Shqipëria dhe Holanda do t’i qasen në mënyrë të përbashkët sfidave të krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm, përmes takimeve periodike të ekspertëve, kryerjen e analizave të përbashkëta, shkëmbimin e njohurive dhe ekspertizës më të mirë, si dhe caktimin e pikave të kontaktit për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimit policor ndërmjet dy vendeve.

Top Channel