Në një tjetër lëvizje që synon tkurrjen e tensioneve rajonale, Koreja e Veriut hodhi në erë tunelet e kompleksit të vetëm të saj të testesve bërthamore. Gazetarët e huaj, të ftuar në Punggye-ri, u kthyen në dëshmitarë të një shpërthimi gjigant.
Peniani ishte ofruar në fillim të vitit të niste çmontimin e zonës, si pjesë e përpjekjeve për afrim diplomatik me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Shkencëtarët, megjithatë, besojnë se kompleksi ishte shembur pjesërisht pas testit të fundit shtatorin e vitit 2017, i cili sipas tyre e kishte bërë këtë vend praktikisht të papërdorshëm.
Lëvizja, që shihet për çdo rast si një tjetër sinjal zbutjeje i regjimit komunist, vjen pak pas deklaratave fshikulluese me në fokus numrin dy të administratës amerikane, të cilat hodhën hije të tjera dyshimi mbi takimin e shumëpërfolur historik të Donald Trumpit me Kim Jong-unin.
Zëvendësministrja e Jashtme e vendit komunist e akuzoi Mike Pence për “doza budallallëku” dhe paralajmëroi mbi mundësinë e një “përplasjeje bërthamore” nëse diplomacia dështon.
“Peniani nuk do t’i lutet Uashingtonit për dialog, – tha Choe Son-hui. – E as nuk do të përpiqet ta bindë palën tjetër të marrë pjesë në bisedime”.
Në një artikull të agjencisë shtetërore të lajmeve “KCNA”, ajo citohet të pohojë se Pence ka bërë në media disa komente të pahijshme, që nuk mund të anashkalohen, duke përfshirë këtu pretendimet se Koreja e Veriut mund të përfundojë si Libia.
Top Channel