Aventura e Roberto Donadonit te Bologna përfundon këtu. I ardhur në krye të klubit emilian në tetor të vitit 2015 për të zëvendësuar Delio Rossin, të mërkurën atij iu komunikua vendimi për të ndërprerë raportin, ndërsa në orët e sotme do të zyrtarizohet.
Por, në përpjekje për të gjetur zëvendësuesin e Donadonit (një ish-milanist), Bologna duket se nuk do të heqë dorë nga trendi i pasjes së një “milanisti” në krye. Në “pole position” është emri i Filippo Inzaghit, me të cilin thuhet të jetë arritur akordi personal.
Mbrëmjen e së mërkurës ishte presidenti emilian Joey Saputo, ai që i komunikoi shkarkimin Donadonit. Trajneri kishte një kontratë deri në vitin 2019, por paguan në këtë mënyrë një sezon negativ, faktin që një lojtar i Destro dështoi të jepte më të mirën dhe vlerësimin e dobët që pati ndaj disa të rinjve si Masina, Mbaye, Nagy dhe Di Francesco.
Për të nisur ciklin e ri, emrat që qarkullojnë prej ditësh janë të shumtë, por zgjedhja e parë për klubin emilian është Pippo Inzaghi. Ky i fundit është aktualisht i impenjuar me Venezian në fazën e “play off”-eve të Serie B, pse jo për të tentuar ta rikthejë ekipin në elitën e Italisë.
Sipas disa burimeve, palët kanë arritur akordin për një kontratë dyvjeçare. Gjithsesi, nëse Inzaghi nuk do të zyrtarizohet te Bologna, atëherë alternativat nuk mungojnë dhe janë dy: Roberto de Zerbi që bëri një fazë të dytë të mirë me Beneventon, si dhe Davide Nicola, ish-trajner i Crotones. Ndër emrat e tjerë që përmenden janë Giovanni Stroppa, aktualisht te Foggia, si dhe Rolando Maran, i shkarkuar nga Chievo pak përpara se të përfundonte sezoni.
Top Channel