Kur kishin mbetur 10 minuta e 46 sekonda (perioda e katërt) nga fundi i sfidës, Houston Rockets u duk “i mbaruar” pas një distance prej 12 pikësh përballë kampionëve në fuqi të Golden State.
Por, në “Oracle Arena” të Kalifornisë, aty ku “Warriors”-at nuk humbasin një ndeshje “play off”-i që prej finaleve të vitit 2016, e për më tepër aty ku “Rockets” jo vetëm që nuk kishin fituar ndonjëherë në historitë e “play off”-eve, por as nuk kanë qenë dot në avantazh në periodën e katërt, këtë herë ndodhi mrekullia.
Pikërisht në ato 10 minuta e pak, përballë rrezikut real që ta çonin rezultatin e përplasjeve të drejtpërdrejta në 3-1, Houstoni tregoi edhe njëherë se është një grup luftarak, që di të vuajë, e që objektivin e tij kryesor (të mposhtë Warriors-at) e ktheu nga utopi, në një mundësi reale.
Houston barazon kështu duelet e finales së Perëndimit në 2-2, pasi triumfoi në Kaliforni me rezultatin 95-92, një fitore me grintë, në të cilën dhanë kontribut jo vetëm James Harden me 30 pikët e tij, por edhe Chris Paul dhe një mbrojtje heroike, që bëri të heshtin “Warriors”-at, pasi në 12 minutëshin e fundit atyre nuk iu lejua më shumë sesa 12 pikë, ose vetëm 3 gjuajtje të sakta nga 18 përpjekje në parket.
Gjithçka mbetet e hapur tashmë për duelin e pestë, që do të zhvillohet të enjten në Houston të Teksasit.
Golden State duket se pagoi mungesën për shkak dëmtimi të Andre Iguodala; i zëvendësuar nga Kevon Looney, por ky i fundit regjistroi sfidën më “anonime” të zhvilluar ndonjëherë në këtë fazë “play off”-esh; e sigurisht edhe dëmtimit në gjurin e majtë që detyroi largimin para kohe nga parketi të Klay Thompson, deri atëherë me 10 pikë dhe 4 nga 13 gjuajtje të realizuara.
Rënia në periodën e katërt sigurisht që nuk është në stilin e “Warriors”-ave, me disa gabime radhazi në gjuajtjet nga distanca, përfshi edhe dështimin e plot 9 gjuajtjeve tripikëshe, e padyshim edhe nga paaftësia për të gjetur hapësirat drejt Stephen Curry, që shënoi 28 pikë, 17 prej të cilave në periodën e tretë si të ishte “jashtëtokësor”; Kevin Durant, me 27 pikë por vetëm 9 gjuajtje të sakta nga 24 tentativa; apo paaftësia për të përfituar nga grinta e Draymond Green, me vetëm 11 pikë, 13 topa në tabelë dhe 8 asiste.
Top Channel