Ministrat Gjonaj dhe Xhafaj përballë Komisionit të Drejtësisë në Holandë

23/05/2018 17:08

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, gjatë vizitës zyrtare në Holandë, kanë zhvilluar një seancë dëgjimore në Komisionin për Drejtësi dhe Siguri të Parlamentit të Holandës.

Gjonaj theksoi në fjalën e saj se pa mbështetjen e ekspertëve holandezë dhe ekspertëve të tjerë të huaj, do të kishte qene e vështirë kryerja e një reforme kaq thelbësore në drejtësi. Ajo i njohu parlamentarët me rezultatet e para të prekshme të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare për ngritjen e organeve të reja të sistemit të drejtësisë, veçanërisht organet që do të merren me hetimin dhe gjykimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ministrja Gjonaj bëri me dije masat që qeveria shqiptare ka marrë për të forcuar luftën kundër korrupsionit, veçanërisht masat në nivel politikash dhe ndryshimet ligjore si dhe rezultatet e deritanishme në gjykimin e zyrtarëve të lartë publikë të akuzuar për korrupsion.

Në vijim, Ministri i Brendshëm Xhafaj iu paraqiti të pranishmëve një panoramë të asaj çka Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit është duke bërë për adresimin e një sërë çështjesh të cilat janë shqetësuese për të dy vendet tona. Në këtë kontekst ai theksoi se nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë dhe Sigurisë së Holandës siguron instrumentet përkatës institucionale dhe operacionale për adresimin e këtyre fenomene.

Më pas, në përgjigje edhe të interesimit të parlamentarëve Xhafaj prezantoi masat dhe arritjet në luftën kundër krimit të organizuar duke e cilësuar këtë si prioritetin kyç të qeverisë shqiptare. Duke i njohur të pranishmit me dokumentin e prioriteteve të Ministrisë së Brendshme, ai u ndal së pari tek lufta kundër kultivimit të kanabisit, grupeve kriminale që e kanë shfrytëzuar këtë aktivitet për përfitime të shpejta e të paligjshme, një fenomen i përhapur për vite të tëra në Shqipëri, duke cenuar në këtë mënyrë edhe imazhin e vendit.

Më tej, Ministri i informoi parlamentarët që deri tani janë identifikuar grupet kriminale, është bërë profilizimi i tyre, asetet dhe lidhjet e tyre. Ai nënvizoi gjithashtu asistencën dhe bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë, një pjesë e të cilëve kanë atashuar edhe përfaqësuesit e tyre në këtë task forcë. Ndër rezultatet kryesore të arritura deri tani, ai përmendi goditjen e 9 grupeve të rrezikshme kriminale si dhe vijimin e hetimeve për 5 grupe të tjera kriminale, operacione këto të kryera edhe me bashkëpunimin e Europol-it dhe vendeve të tjera të BE-së. Hetimet dhe zhvillimi i operacioneve të përbashkëta u konsideruan nga Ministri si jetike në luftën kundër krimit të organizuar, i cili vepron tej kufijve të një shteti.

Një çështje tjetër në të cilën u ndal Ministri Xhafaj ishte edhe vetingu në policinë e shtetit dhe lufta kundër terrorizmit.

Qëndrueshmëria e reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare në raport me procesin e integrimit në BE ishte një tjetër pyetje e parlamentarëve. Në përgjigje të saj, Ministri Xhafaj i siguroi parlamentarët se procesi i reformave që ka ndërmarrë Shqipëria është i pakthyeshëm dhe jetik për vendin. Çelja e negociatave për anëtarësim është padyshim inkurajim i forcave progresiste në Shqipëri për thellimin e këtyre reformave si dhe i jep shpresë të rinjve për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre. Ministri Xhafaj shprehu besimin e tij që ecuria e reformave, veçanërisht e asaj në drejtësi, nuk mund të ndikohet nga zhvillimet politike, duke shtuar se BE-ja është investuar fuqishëm në zhvillimin e tyre. Procesi i negocimit me BE-në do të sigurojë në të njëjtën kohë një mekanizëm efikas kontrolli dhe monitorimi të procesit të reformave në Shqipëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA