Trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane doli në konferencë për shtyp në prag të finales së madhe të Champions League ndaj Liverpulit (të shtunën, në orën 20:45).
Shumë pyetje ishin në lidhje me yjet e skuadrave respektive: Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah. Njëri prej gazetarëve e pyeti francezin nëse do ta ndërronte kokë për kokë portugezin me egjiptianin. Zidane u përgjigj: “Jo, mbaj fort Cristianon dhe flas vetëm për lojtarët e mi”.
Më tej, Zidane theksoi se CR7 është futbollisti më i mirë në botë.
“Jam i lumtur që e kam Cristianon në ekipin tim sepse është më i miri, e tregon këtë gjë çdo vit”, theksoi Zidane.
Kur u pyet nëse Liverpuli është më i uritur për këtë trofe sesa Reali, që e ka fituar në dy vitet e fundit, Zidane e mohoi kategorikisht.
“Nuk e di sa uri ka kundërshtari, por di të them se ne kemi dëshirë për ta fituar këtë trofe si gjithmonë. Në këtë klub kështu është përherë. Nuk mund të thotë njeri që jemi më pak të uritur sesa të tjerët. Jemi Reali dhe gjithmonë duam tituj”, u shpreh trajneri i madrilenëve.
Top Channel