Gjykata Penale e Shkupit rrëzoi të hënën akuzat e ngritura ndaj kryeministrit Zoran Zaev për mitmarrje, të cilat vetë shefi i ekzekutivit maqedonas i kishte hedhur poshtë me forcë si të motivuara politikisht.

Zaevi është shprehur i bindur përgjatë gjithë procesit se pretendimet që supozohej ta gozhdonin, ishin stisur nga qeveria e mëparshme e VMRO-DPMNE-së.

“Jam i lumtur që në fund arrita ta provoj pafajësinë time. Drejtësia u vu në vend”, ishte komenti i kryeministrit, dukshëm i lehtësuar nga vendimi i gjykatës. Aktpadia përmendte marrjen e një ryshfeti prej 200 000 eurosh për të ndihmuar një biznesmen lokal të vendlindjes së tij Strumica, të privatizonte një tokë publike. Akuzat ishin ngritur në vitin 2015, në mesin e krizës së thellë politike të vendit, kur Zaevi ishte një prej liderëve të opozitës dhe kryetar bashkie i këtij qyteti.

Ai do të përballej me to pak pasi nisi betejën e përgjimeve të paligjshme që nxorën në pah shtrirjen e korrupsioni galopant të qeverisë së Nikolla Gruevskit. Zaevi pat këmbëngulur gjithmonë se e gjitha kjo ishte një sajesë e VMRO-së për të diskretituar figurën e tij dhe akuzat që kishte ngritur kundër korrupsionit.

Partia e Zaevit i ilustronte pretendimet e veta me një video ku ishte regjistruar biseda e Zaevit me biznesmenin mbi disa transaksione financiare. Por, kryeministri shpjegoi se pamjet filmike ishin prerë në disa vende, duke e bërë të dukej sikur ai po kërkonte ryshfet, në një kohë kur, siç thotë, ishte thjesht duke folur për donacione që do të përdoreshin për ndërtimin e një kishe në Strumicë.

Për të sqaruar një herë e mirë çështjen, Zaevi do t’i kërkojë gjykatës lejen për publikimin e plotë të videos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA