Adnan Januzaj duket se ka rigjetur veten në Spanjë, te Real Sociedadi ku konkretizoi një sezon mjaft pozitiv. Fantazisti me origjinë nga Kosova, por që ka zgjedhur të përfaqësojë Belgjikën, ka luajtur në shumicën e ndeshjeve si titullar, duke gjetur shpesh golat dhe asistet, ndërsa ka marrë vlerësime maksimale për performancën në fushën e lojës.
Natyrisht që kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga trajneri i përfaqësueses belge, Roberto Martinez, që pasi e ftoi për miqësoret e muajve Nëntor dhe Mars, i dha edhe një vend në listën paraprake prej 28 futbollistësh, që do të grumbullojë për në ‘Rusi 2018’.
Gjithsesi ende nuk mund të thuhet me siguri nëse djaloshi nga Kosova do të shkojë në Rusi, pasi rivaliteti është mjaft i lartë, me futbollistë si Hazard, Mertens, De Bruyne, etj.
Ndërkohë, vlen të përmendet se jashtë listës paraprake ka mbetur edhe mesfushori i Romës, Radja Nainggolan, që pavarësisht performancës në nivele mjaft të larta, nuk bindi Martinezin t’i bëjë një vend.
“Nainggolan? Të gjithë e dimë që është një lojtar i madh, por kam vendosur të mos e grumbulloj për arsye taktike. Gjatë dy viteve të fundit kemi punuar me një sistem loje sulmues. E di që te Roma ka një rol shumë të rëndësishëm, çka nuk mund t’ia garantoj te Belgjika. E kam takuar në Romë dhe kemi folur gjatë. Nuk ishte vendim i lehtë për t’u marrë, pasi e di që është një futbollist shumë popullor”, tha trajneri belg.
Pak pas konferencës për shtyp të Roberto Martinez, reagoi edhe vetë Nainggolan, që komunikoi tërheqjen nga Kombëtarja e Belgjikës.
“Për fat të keq, me shumë dhimbje përfundon karriera ime ndërkombëtare. Të jesh vetvetja ndonjëherë bezdis të tjerët. Nga sot do të jem tifozi kryesor”, tha Nainggolan.
Top Channel