Pasi siguroi pjesëmarrjen në Champions League edicionin e ardhshëm, Interi vendosi të mos humbasë kohë e të nisë menjëherë punën për sezonin e ri.
Pika e nisjes do të jetë pikërisht trajneri Luciano Spalletti, me të cilin drejtuesit e klubit zikaltër do të zhvillojnë një takim për kontratën e tij të re, që do të zgjatet deri në vitin 2021, e shoqëruar edhe me një rritje të pagës.
Po kështu, në qendër të vëmendjes së Interit është edhe çështja e kontratës së Icardit. Edhe në rastin e kapitenit, zikaltrit janë drejt rinovimit, ndërkohë që planet e merkatos nuk bien aspak në plan të dytë.
Në këtë pikë, Interi duhet të jetë aktiv si në aspektin e blerjeve, ashtu dhe atë të shitjeve. Për sa u përket përforcimeve, zikaltrit kanë siguruar tashmë De Vrij, Lautaro Martinez dhe Asamoah, ndërkohë që së fundmi është menduar edhe për Strootman, e sidomos për lojtarë të rinj italianë si Verdi apo Politano.
Ëndrra e vërtetë duket është Federico Chiesa. Por, së fundmi, në vëmendjen e drejtuesve të klubit zikaltër duket se është vënë edhe Justin Kluivert, djali i ish-sulmuesit të përfaqësueses holandeze, Patrick Kluivert.
Top Channel