Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damina Gjiknuri ka inspektuar investimet në qarkun e Gjirokastrës, ku bëhet fjalë për ujësjellësat dhe rrjetin elektrik.
Në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, qeveria në 4 vitet e fundit ka investuar ose ka në proces investimi projekte që në vlerën totale arrijnë në 3,3 miliard lekë. Në qytetin e Gjirokastrës, ministri Gjiknuri pa rezultatet e fazës së parë të investimit për ndërtimin dhe rikonstruksionin e rrjetit.
“Sistemi i depove dhe pompat, një investim i qeverisë shqiptare me KfW gjermane. Faza e parë ka përfunduar dhe shumë shpejt pritet të fillojë edhe faza e dytë për të gjithë Bashkinë e Gjirokastrës. Sot që flasim pjesa më e madhe e qytetit ka një furnizim 24 orë me ujë dhe me përfundimin e fazës së dytë të investimit që nis këtë vit, i gjithë qyteti i Gjirokastrës do të ketë furnizim me ujë për 24 orë. Ky nuk është investimi i vetëm në Qarkun e Gjirokastrës. Qeveria do të fillojë shumë shpejt investimin për rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit në qytetin e Tepelenës, në Memaliaj. Po vazhdon investimi shumë i rëndësishëm në Bashkinë e Përmetit, ai në Këlcyrë dhe investime edhe në Dropull”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri Gjiknuri pa nga afër investimin e kryer për fuqizimin e nënstacionit të ri të Gjirokastrës dhe ndërtimin e fiderave me rrjet 20 kV, 25 kabinave të reja dhe shtrimin e kabllove ABC. Në Përmet dhe Tepelenë gjithashtu ka patur ndëhyrje të rëndësishme në rrjetin elektrik.
“Investimet në sektorin elektroenergjetik po vazhdojnë dhe ky është një shembull konkret që janë bërë investime të konsiderueshme për përmirësimin e rrjetit. Nga informacionet e fundit që kam edhe nga administratorët e OSHEE, humbjet në Gjirokastër janë tanimë në nivelet më të ulëta historike, rreth 17%. Kjo ka ardhur kryesisht si rezultatet i mirëmenaxhimit por edhe investimeve të kryera të cilat kanë bërë që të administrohet më mirë energjia e hedhur në rrjet”, nënvizoi Gjiknuri.
Top Channel