Autoritetet qeveritare maqedonase janë të bindura se emri “Republika e Maqedonisë së Ilindenit” është zgjidhje e mirë, si për maqedonasit dhe ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, ashtu dhe për grekët, të cilët nuk e njohin fqinjin verior me emrin “Maqedoni” për shkak të rajonit me të njëjtin emër në veri të Greqisë.
Dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras ranë dakord në parim me këtë variant gjatë samitit në Sofje të Bullgarisë, por opozita greke e hodhi poshtë menjëherë si të papranueshëm e të mbështetur në synime “irredentiste”.
Zaev këmbëngul se propozimi forcon identitetin dhe ruan dinjitetin e popullit maqedonas, duke mos dëmtuar në të njëjtën kohë as interesat e vendit fqinj.
Sa i përket referencës “Maqedonia e Ilindenit”, autoritetet qeveritare në Shkup janë pajtuar me ndryshimet e Kushtetutës siç i kërkon Athina, por kërkojnë së pari që propozimi të hidhet në referendum.
Nga ana tjetër – thotë “Zëri i Amerikës”, – përkthimi apo përshtatja në shqip e emrit “Republika Ilinditase e Maqedonisë” nga eksponentët e BDI-së në qeveri ka hasur në kundërshtinë e gjuhëtarëve dhe të opinionit publik, por edhe një pjese të historianëve shqiptarë, të cilët e shohin kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903, një datë historike që mbështetet te Shën Ilia, si një ngjarje ku ishin manipuluar ndjenjat dhe interesat shqiptare të kohës.
Interes të shtuar për këtë temë po tregojnë ndërkohë Uashingtoni dhe Brukseli. Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence foli së fundi në telefon me Alexis Tsipras për t’i shprehur vlerësimet mbi rolin që ai po luan së bashku me Zaevin për zgjidhjen e këtij ngërçi shumëvjeçar.
Top Channel