Dita Botërore e Diversitetit Kulturor është festuar dhe në qytetin bregdetar të Durrësit.
Në hapësirën antike të Termave Romake, mbrëmjen e kaluar artistja e re Eduina Lushka, së bashku me artistë të tjerë të rinj dhe mbështetjen e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, zhvilluan një aktivitet që krijoi një atmosferë të veçantë brenda monumentit që ndodhet në themelet e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Nën tingujt magjikë të kitarës së interpretuara nga Andi Bajraktari dhe Adrian Plakalli, u përcoll një mozaik melodish nga vende e kultura të ndryshme. Përmes fuqisë së imazhit të dy projekteve të realizuara në Muzeun Arkeologjik dhe Amfiteatrin Antik të Durrësit, u prezantua gjatë mbrëmjes artistike dhe pasuria arkeologjike e qytetit bregdetar, me një histori mbi 2700-vjeçare.
Dita Botërore e Diversitetit Kulturor festohet në të gjithë botën që nga nëntori i vitit 2001 si dita kur reflektohet mbi vlerat e diversitetit kulturor dhe të jetuarit së bashku.
Top Channel