Komisioneri për mbrojtjen e të dhënave personale po heton mbledhjen e të dhënave personale të prindërve të nxënësve mes të cilave dhe numri i kartës së identitetit.

Një ditë më parë nga Vlora, ministrja e Arsimit tha se kartat e identitetit po kërkohet për të ndërtuar një sistem të ri komunikimi me prindërit, përmes teknologjisë, duke mohuar të ketë cenuar të privatësinë e prindërve.

Po vetë prindërit çfarë thonë? A i kanë dorëzuar ata kartat e identitetit?

“Na i kërkuan si gjithë të tjerët…i kemi dorëzuar, pyetëm por fëmija nuk dinte të na jepte shpjegim , menduam që do ishte diçka për shkollën. Ne nuk e dinim që do bëhej kaq e madhe”, thotë një prind.

Por, ka edhe prindër që kanë vepruar ndryshe.

“Kam prezantuar të dhënat që janë të mjaftueshme për mësuesen për të kontaktuar familjen. Numri i celularit, adresa e email. Mendoj që karta e identitetit është një dokument që s’ka pse kërkohet”, shprehet një tjetër prind.

Top Channel kontaktoi edhe nxënësit, të cilëve u është kërkuar informacioni përmes mësueses kujdestare.

“Mami nuk e miratoi shumë, por duhet ta jepnim. Kartën e identiteti nuk e plotësoi sepse mendoi që ishte e dhënë personale”, thotë një nxënës.

Nxënësit në shkollën “Edit Dur’ham” thonë se mësuesit u tërhoqën pasi çështja u bë mediatike.

“6 veta në klasë e dorëzuan kartën e identitetit, të tjerët jo. U anulua, thanë zyshat nuk do jua kërkojmë më”, tregon nxënësi.

Urdhri i Ministres së Arsimit, shkaktoi debat të fortë politik. Opozita akuzoi se të dhënat që po mblidheshin njëkohësisht në shkolla, por edhe në spitale dhe qendra shëndetësore, do të përdoreshin në funksion të zgjedhjeve. Pasi Partia Demokratike depozitoi në prokurori padinë penale për veprën “Shpërdorim të detyre”, ditën e hënë denoncoi një tjetër fakt.

“Kjo është përgjigja zyrtare nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave që ka nisur procesin e hetimit administrativ për Ministrinë e Arsimit. Nëpërmjet urdhrit të datës 4 maj Komisioneri ka urdhëruar “bllokimin e përpunimit të të dhënave personale deri në momentin e përfundimit të hetimit. Pavarësisht këtij vendimi, Ministrja Nikolla, e urdhëruar nga Rama, vazhdon me insistim shkeljen e ligjit për grumbullimin e të dhënave personale të prindërve me qëllim përdorimin e tyre në funksion të manipulimit të zgjedhjeve”, tha Albana Vokshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA