Autoritetet malazeze thane një ditë më parë se kanë menduar që të ndërtojnë një gardh me Shqipërinë për të ndalur fluksin e klandestinëve. Top Channel ishte në shtegun ku mendohet se përdoret nga trafikantët për të kaluar klandestinet.
Klandestinët nga lindja përshkojnë një fushë për të kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Për ta është rruga e shpresës që do t’i çojë më tej në Europë. Janë pikërisht zonat e brezit jeshil në afërsi të pikave të kalimit kufitar të Murriqanit dhe Hanit të Hotit, dy pikat më problematike për palën malazeze sa i takon depërtimit të klandestinëve të huaj kryesisht shtetasve sirianë.
Klandestinët hyjnë nga Greqia përmes Korçës dhe Gjirokastrës e më pas dalin nga Shkodra.
Deklaratat ekstreme në vendin fqinjë për ngritjen e një gardhi me gjemba kanë në themel shqetësimin se në Shqipëri nuk i pranojnë klandestinët e kthyer prapa nga Mali i Zi.
Zyrtarisht policia kufitare nuk pranon t’i komentojë këto deklarata që vijnë nga përtej kufirit, por Top Channel mëson nga burime se kur pala malazeze ka kthyer klandestinë ata janë pranuar dhe janë dërguar qendrat e pritjes ne Tirane, përveç në ndonjë rast të rrallë bëjnë me dije burimet, kur qendra e pritjes ka qenë e mbushur mbi kapacitet.
Sipas statistikave nga marsi 2013 deri në prill të 2018-ës janë kapur 151 shtetas të huaj kryesisht në tentativë për të kaluar kufirin me Malin e Zi.
Top Channel