Një nënë shqiptare nga qyteti i Trojës në juglindje të Michiganit, pa rekorde kriminale, është deportuar për në Shqipëri pa mundur t’iu thotë “mirupafshim” tri fëmijëve të saj apo bashkëshortit.
E ndërsa një zëdhënës i Zyrës amerikane për Emigracionin dhe Doganat (ICE) ka thënë se zyra e ka njoftuar familjen për largimin së afërmi të Cile Precetajt, duke iu thënë madje familjarëve të bënin gati valixhet e saj prej 10 ditësh, bashkëshorti i saj është shprehur se ai nuk dinte asgjë në lidhje me deportimin e bashkëshortes, deri në orën 4 të mëngjesit të së enjtes, kur ajo i kishte telefonuar nga Gjermania për t’i thënë se ishte duke u kthyer në Shqipëri e shoqëruar nga dy agjentë të “ICE”-së.
“Fëmijët e mi janë tronditur, nuk ndalen së qari”, ka thënë Pete Gojcaj për “Free Press” mëngjesin e së enjtes. “Fëmijët janë të traumatizuar. I hipa në autobus mes lotëve”, tha ai, duke lënë të nënkuptohej se i dërgoi ata në shkollë për ta bërë sa më normale të mundej përditshmërinë e tyre. “E dini çfarë më thanë? ‘Kjo nuk është qeveria për të cilën na kanë mësuar në shkollë’”.
Zëdhënësi i “ICE”-së, Khallid Walls deklaroi të enjten se familja ishte njoftuar “disa ditë më parë për largimin e saj së afërmi” dhe se ata nuk ia kishin lejuar valixhen dhe sendet e tjera personale asaj.
Por, familja i qëndron pretendimit se nuk ishin infromuar kurrë për një datë deportimi, as për ndonjë informacion mbi faktin nëse do të deportohej dhe kur do të deportohej ajo.
Gjithçka ka ndodhur, sipas bashkëshortit të saj, ishte një telefonatë që ai kishte marrë 10 ditë më parë nga “ICE”-ja, që i thoshte atij të bënte gati valixhen e bashkëshortes dhe ta dërgonte në selinë e “ICE”-së në Detroit.
Pete Gojcaj tha se veproi sipas urdhrit, fëmijët e ndihmuan madje në përgatitjen e valixhes, por se nuk e kishin aspak idenë se çfarë do të ndodhte më pas. Bashkëshortja e tij e kishte telefonuar disa herë nga kantoni Calhoun, ku ishte arrestuar gjatë betejës ligjore kundër deportimit, pa marrë asnjë informim. Ai dhe fëmijët e saj kishin pritur mes lutjeve, siç rrëfen bashkëshorti, me shpresën se një mrekulli mund të ndodhte.
Por, ora 4 e mëngjesit të së enjtes, përmes asaj telefonate nga Gjermania atyre iu sqaruan të gjitha konfuzionet. Nëna e tyre ishte larguar nga Shtetet e Bashkuara.
Gojcaj mësoi më pas nga bashkëshortja e tij se 5 agjentë të “ICE”-së e kishin marrë nga paraburgimi i kantonit Calhoun të mërkurën, e kishin prangosur dhe e kishin dërguar në Detroit, në përgatitje për ta larguar nga Amerika. Dy prej agjentëve të “ICE”-së, tha më tej ai, e kishin shoqëruar në kthimin për në Shqipëri. Sipas bashkëshortes së tij, agjentët e kishin paralajmëruar të mos bënte ndonjë veprim të pahijshëm, përndryshe ata do t’i vendosnin kufizime.
Cile Precetaj, një emigrante shqiptare, ishte njëra prej një dyzine nënash të burgosura në qelitë e kantonit Calhoun, në pritje të deportimit. Të gjitha ato ishin me fëmijë të lindur në Amerikë. Precetaj, 46 vjeç, ka kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 2000, duke mos pasur asnjë rekord kriminal. Ajo shmangu deportimin në vitin 2014 me një urdhër ekzekutiv, por u arrestua më 26 prill gjatë një vizite rutinë mujore të zyrtarëve të “ICE”-së në Detroit.
Fëmijët e saj, 8, 10 dhe 16 vjeç, jetojnë me të atin Pete, një emigrant jugosllav që jeton në Shtetet e Bashkuara prej 30 vitesh dhe është pronar i një restoranti.
Ndërkohë, “ICE”-ja thekson prej kohësh se ka pasur të gjitha pozitat juridike për ta larguar Precetajn nga Shtetet e Bashkuara, por i lejuan asaj qëndrimin për të ndjekur të gjitha opsionet ligjore përpara se të deportohej.
“Në qershor të vitit 2005, zonja Precetaj, një shtetase e paligjshme nga Shqipëria, u urdhërua për largim nga Shtetet e Bashkuara nga një juri federale emigracioni”, shpjegon “ICE”, duke bërë të ditur se apelimet e saj të shumta kanë rezultuar të dështuara.
“Për më shumë se një dekadë mes 2007-s dhe 2018-s, ICE-ja e lejoi Precetajn të qëndronte jashtë paraburgimit teksa ndiqte të gjitha opsionet ligjore për lehtësimin e situatës së saj. Më 26 prill, Precetaj dorëzoi një kërkesë për qëndrim në Gjykatën e Apelit të ‘6th Circuit’, padi për të cilën ajo duhej të qëndronte në paraburgim në pritje të vendimit për rastin e saj”.
Javën e kaluar, kjo gjykatë i mohoi asaj qëndrimin, megjithëse ajo kishte një tjetër apelim në pritje të gjykimit.
Në kërkesën e saj për azil, Precetaj pretendon se i frikësohet jetesës në Shqipëri dhe se familja e saj ishte kërcënuar vazhdimisht nga grupe kriminale që kanë tentuar ta marrin peng atë dhe ta detyrojnë të prostituojë. Ajo ka shprehur frikën edhe në lidhje me një të fejuar abuziv, të cilin e kishte ndarë në Shqipëri.
Top Channel