Një muaj, zjarri toksik. Vazhdon djegia e plastikës nën rrënojat e Everest

19/05/2018 15:22

Thuajse një muaj nga zjarri i fuqishëm që përfshiu fabrikën e përpunimit të plastikës në Mëzez të Tiranës, kjo punishte vazhdon ende të digjet.

Nuk bëhet fjalë për zjarr sipërfaqësor, por për një zjarr të padukshëm, që vazhdon një djegie të brendshme të materialeve dhe mbeturinave plastike.

Pamjet janë regjistruar mbrëmjen e të premtes, shpesh herë mbi gërmadhat e fabrikës del një tym i bardhë që sipas ekspertëve është pasojë e shtypjes së avujve të ngopur.

Kjo tregon se nën gërmadha prodhohet ende nxehtësi, që mund të riaktivizojë zjarrin. Për këtë arsye shërbimet zjarrfikëse kanë porositur jo vetëm pronaret dhe rojet e objektit tashmë të shkrumbuar, por edhe banorët e zonës që në rast se shohin tym të bardhë të lajmërojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse.

Sipas eksperteve, ky fenomen mund të eleminohet nëse pjesa e poshtme e shtratit të fabrikës të kthehet përmbys. Por ky proces ka ngritur problematiken tjetër se ku duhet të transportohen dhjetëra ton mbetje plastike e djegur e cila rrezikon të kontaminojë çdo sipërfaqe ku do të hidhet.

Top Channel