MotoGP, “pole position” në Francë i takon vendasit Johan Zarco

19/05/2018 16:06

Johan Zarco “fluturon” në pistën e Le Mansit përballë publikut të tij, në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Francës, në Botërorin e MotoGP-së.

Piloti transalpin i “Yamaha Tech 3” fitoi “pole position” në këto prova, duke e përshkuar pistën në kohën 1 minutë, 31 sekonda dhe 185 të mijëtat.

Zarco pati meritën që në këto prova kualifikuese në Le Mans la pas kampionin e botës në fuqi të MotoGP, Marc Marquez.

Piloti spanjoll i Hondës u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, me vetëm 108 të mijëtat më shumë sesa Zarco. Ndërkohë, në vendin e tretë, duke plotësuar vijën e parë të nisjes, u rendit Danilo Petrucci.

Klasifikimi vijon me italianët Andrea Iannone dhe Andrea Dovizioso, në vendin e katërt dhe të pestë, të ndjekur nga Jorge Lorenzo, në të gjashtin. “Yamaha” zyrtare do të nisë garën nga vija e tretë, pasi Maverick Vinales dhe Valentino Rossi u renditën në vendet 8 dhe 9.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA