Për të vendosur fatin politik të Fatmir Xhafës, Edi Rama ka treguar se është bazuar mbi ekspertizën që i ka kërkuar një agjencie të huaj, në lidhje me përgjimin audio ku opozita pretendon se dëgjohet zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm.

Por, Kryeministri nuk ishte në gjendje të tregonte si quhet kjo agjenci dhe ku ndodhet ajo, kur u pyet nga Top Channel.

“Nuk i jam drejtuar asnjë firme dhe asnjë kompanie. I jam drejtuar një agjencia të specializuar. Adresën nuk mund t’ua jap. Ajo çfarë kam bërë ka qenë urgjente për mua për të ditur të vërtetën. Nuk ka vlerën e një prove. Provën duhet ta identifikojë prokuroria. Përsa më takon mua, jam shumë i qartë; bëhet fjalë për një maskaradë”, thotë Kryeministri.

Gjatë konferencës për shtyp në Rinas, pas kthimit nga Samiti i Sofjes, Top Channel pyeti Kryeministrin nëse nga ekspertiza, të cilës i ka besuar rezulton se nuk bëhet fjalë për zërin e Agron Xhafës, apo nëse rezulton se bëhet fjalë për zërin e vëllait të ministrit të Brendshëm, por që mund të jetë manipuluar në montazh. Përsëri Rama nuk dha asnjë detaj.

“Unë nuk mund të të ndihmoj për asgjë në lidhje me këto që ju pyesni. Përgjigjia ime është e qartë dhe e prerë: ajo që i është servirur publikut shqiptar si material autentik, është thjesht dhe vetëm një manipulim i shëmtuar”, vijoi Kryeministri.

Rama konfirmoi se Fatmir Xhafaj do të vijojë të jetë ministër i Brendshëm, ndërsa shtoi se rezultatet e punës së tij shqetësojnë opozitën. Me në krah ambasadoren gjermane, vetë ministri u nuk u duk i shqetësuar nga dëshmia e Albert Veliut.

“Jemi në vendin e task forcës speciale, kurse atje (selia e PD) jemi në vendin e sajesave dighitale”, tha Xhafaj.

Edhe Rama ironizoi akuzat e Dëshmitarit X, duke e quajtur PD-në një “Audio-Video shpk”. Ne pyetëm Kryeministrin çfarë e bën të mos i besojë dikujt që akuzon me emër dhe mbiemër, me zë dhe figurë. Por kreu i Qeverisë e donte përgjigjen nga gazetarët.

Edi Rama: Pse ju i besoni?

Gazetari i Top Channel: Unë nuk jam Kryeministri!

Edi Rama: Mendoni që ka vlerë që të diskutojmë për këtë?!

Top Channel: Çfarë ju bën ju si Kryeministër që të mos i besoni? Keni ndonjë informacion më shumë?

Edi Rama: Kam sy, kam edhe veshë. Kjo është për të qeshur dhe për të qarë. Për të qeshur me nivelin mizerabël të kësaj farse dhe për të qarë që këtë farsë e organizon një parti politike që teorikisht është një alternativë qeverisëse.

Pyetjet që acarojnë Kryeministrin

Sa herë që pyetjet e vënë në vështirësi, Kryeministri në vend që të përgjigjet merret me gazetarët. Por, një pyetje e koleges së FaxNews i krijoi bezdi të veçantë, duke e rikthyer në kohët kur merrej me pronarët e medieve, të cilëve u çonte të fala nga ekrani.

Në opinionin publik janë të shumtë ata që pyesin mbi kriteret me të cilët Rama përzgjedh anëtarët e Qeverisë, në kushtet kur një prej ministrave të tij të Brendshëm ndodhet në arrest shtëpie me akuzën për trafik droge, ndërsa një tjetër akuzohet nga opozita se ka favorizuar të vëllanë për të njëjtën vepër.

Për këtë e pyeti edhe kolegia Ambrozia Meta, por Kryeministri u irritua duke akuzuar gazetaren për propagandë.

Edi Rama: Pyesni pronarin tuaj dhe thuajini që a ka ai ndonjë përgjegjësi për vëllain, se janë në të njëjtën fushë të dy?

Gazetarja: Pronari im nuk ka lidhje me rendin dhe qeverisjen e vendit. Nuk e gjej krahasimin tuaj me vend për pronarët e televizioneve që nuk lidhen me qeverisjen e vendit.

Edi Rama: Kurse unë e gjej krejt pa etikë, që vini këtu si gazetare për të bërë pyetje dhe merrni mikrofonin për të bërë propagandë.

Gazetarja: Nuk është propagandë është pyetje referuar zhvillimeve. Kemi një ish-ministër që është në arrest shtëpie i akuzuar për trafik droge dhe një ministër që akuzohet se i ka krijuar imunitet të vëllait.

Si përgjigjie për këmbënguljen e gazetares me pyetjen e saj, Rama ndërpreu konferencën dhe u largua.

Edi Rama: Unë u tregova shumë respektues…

Gazetarja: Edhe unë jam respektuese, por nuk mund të pranoj që të thoni që po bëj propagandë.

Edi Rama: Hajde këtu dhe të vazhdosh konferencën e shtypit e të thuash fjalën e fundit. Mirupafshim!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA