Albert Veliu, i njohur si dëshmitari X në përgjimin me vëllain e ministrit të Brendshëm, po merret në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga prokurori Përparim Kulluri.
Që pas daljes se audiopërgjimit të dyshuar mes Agron Xhafajt dhe Albert Veliut, Prokuroria e Krimeve të rënda ka regjistruar procedimin penal për akuzën e trafikut të narkotikëve. Në këtë seancë pyetjesh Dëshmitari X, shoqërohet nga avokatët Ivi Kasmi dhe Artan Murrizi.
Në fakt që nga dita e enjte, kur PD publikoi intervistën me Albert Veliun, ku ai pranonte se kishte folur me Agron Xhafën për të trafikuar hashash, Veliu ka qenë në Tiranë. Pas publikimit te intervistës së tij nga selia e PD, ai u shoqërua nga policia e Tiranës, pasi e gjeti atë në banesën e një të njohuri të tij dhe më pas e ka shoqëruar në ambientet e drejtorisë së Tiranës.
Por në orët e mbrëmjes ai është lënë sërish i lirë. Ndërsa gjatë paradites së të premtes, Albert Veliu ka kontaktuar me dy avokatët, Ivi Kasmi dhe Artan Murrizi, të siguruar nga PD, për t’u paraqitur me pas në Prokurorine e Krimeve të Rënda, ku po vazhdon të merret në pyetje për ato fakte që ka pranuar më parë në intervistën e publikuar nga PD.
Top Channel