“Lapsusi” i Hipotekës, shtëpia regjistrohet “gabimisht” në emër të fqinjit të ndjerë

18/05/2018 20:24

Erinda Agolli, qytetare e zonës së Laprakës në Tiranë, është ankuar në “Fiks Fare” pasi shtëpinë e saj, Hipoteka e ka regjistruar në emër të fqinjit.

Parcela e pasurisë shtet, ku është ndërtuar shtëpia e saj dhe e xhaxhait, sot figurojnë në emër të fqinjit që ka ndërruar jetë, edhe pse fëmijët dhe bashkëshortja e tij nuk kanë asnjë pretendim mbi këtë pronë.

Gabimi është bërë nga Hipoteka në vitin 2014, por kjo e fundit nuk e ka ndrequr, pavarësisht ankesave dhe dokumenteve që ka plotësuar familja Agolli. Ata kanë që në vitin 2005, që nuk e legalizojnë dot banesën e tyre.

Për këtë gabim të Zyrës së Regjistrimit, atyre u ka ngrirë procesi i legalizimit të shtëpisë dhe nga Hipoteka u thuhet që nuk e bëjnë dot korrigjimin, duke vendosur kështu vetëm një urdhër kufizimi për gabim në regjistrim.

Por, si nisi historia e ndërtimit të kësaj banese?

Në vitin 1994, babai i Erindës i shet shtetasit Fuat Jaçe Mersini një shtëpi banimi të ndërtuar pa leje, mbi truall shtet në zonën e Laprakës. Për të qenë korrekt më pagesën, pranë noterit ata bënë një kontratë shitblerjeje, ku përcaktohen vetëm kufizimet dhe nuk ka as numër pasurie dhe asnjë dokument tjetër të pronës.

Në vitin 1996, në parcelën ngjitur, sërish në truall shtet, babai i Erindës bashkë me të vëllain ndërtojnë shtëpi banimi, përballë ish-shtëpisë së vjetër, edhe kjo pa leje ndërtimi.

Me nisjen e procesit të legalizimit në vitin 2005, të treja familjet bëjnë edhe deklarimet pranë ALUIZNI-t, ku secili deklaron kufitarët dhe ata nuk kanë asnjë problem me njëri-tjetrin.

Në vitin 2016, kur legalizimi i familjes Agolli nuk po dilte, ata u interesuan pranë Drejtorisë, nga ku iu tha se në Hipotekë, ndërtesa e tyre rezulton në emër të Fuat Mersinit, e regjistruar me një kontratë shitblerjeje. Ky regjistrim nuk është bërë nga i ndjeri, por nga një kompani e huaj që ka bërë hedhjet në sistemin hartografik, projekt i vitit 2009.

Gjatë kësaj kohe, Fuat Mersini ndërron jetë, ndërsa familjarët e tij, bashkëshortja me fëmijët jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë interes të kthehen.

Nga Zyra e Regjistrimit nuk i shpjegohet sesi është regjistruar kjo kontratë në atë pronë, kur në fakt është për parcelën ngjitur. Vet gruaja dhe një nga fëmijët e Fuatit kanë bërë deklaratë që kjo nuk është pronë e tyre dhe kanë lënë edhe prokuroren Erinda Agolli për t’u marrë me këtë problematikë.

Që prej më shumë se një viti, familja Agolli përplaset sa në Hipotekë, sa tek ALUIZNI dhe nuk i japin një zgjidhje. Për këtë arsye u ankuan në “Fiks Fare”.

Gjatë intervistës, Erinda Agolli thotë se kanë më shumë se një vit që sorollaten nga ALUIZNI në Hipotekë, për një gabim të Zyrës së Regjistrimit. Hipoteka i adreson në gjykatë. Ajo thotë se nuk kanë pse të përplasen në gjykatë për një problematikë që ka ardhur nga Hipoteka, dhe ajo vet e ka cilësuar edhe në kartelë si gabim regjistrimi dhe ka nxjerrë urdhër kufizimi.

“Përveç shtëpisë sonë, për legalizim është bllokuar edhe shtëpia e xhaxhait, i cili është në trung më vete. Të dyja këto, bashkë edhe me shtëpinë e zotit Fuat Jaçe Mersini rezultojnë si një ndërtesë e vetme të regjistruara në një parcelë, me të njëjtën kontratë shitblerjeje”, thotë ajo.

Bashkë me Erindën, gazetarët e “Fiksit”, shkuan pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekës, ku takuan juristen, e cila pasi dëgjon ankesën, ngarkon përgjegjësin e verifikimit të regjistrimeve ta ndjekë këtë problematikë deri në zgjidhjen e saj.

Lenonard Muskaj, pasi administroi dosjen dhe dokumentacionin e Erinda Agollit, bashkë me ankesën, deklaroi për “Fiks Fare” se, “nga Zyra Qendrore do të nisë menjëherë një hetim administrativ për këtë problematikë dhe do të mundohemi t’i japim sa më shpejt përgjigje, e pse jo edhe zgjidhje problemit, brenda kuadrit ligjor”.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA