Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka ka deklaruar nga Durrësi se lidhjet e politikës me krimin, situata e tensionuar në vend, përfshirë dhe atë të krijuar me ministrin e Brendshëm dhe mbrojtja e tij nga mazhoranca, mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2019, krahas atyre vendore.

“Situata politike është e kërcënuar, e tensionuar. Ka pas problematika që nga rruga e kombit, ajo e biznesit të vogël dhe së fundi situata e krijuar me Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. A nuk ka një njeri nga PS që të mos ketë lidhje me të afërm që kanë lidhje me krimin? Nuk është faji i opozitës që Shqipëria përgojohet për trafikun e drogës. Nuk mund të jetë më ministër i Brendshëm një njeri që një i afërm i tij ka probleme me trafikun e drogës. Ndaj më 26 do të bëjmë një protestë të madhe kundër kësaj padrejtësie”, deklaron Duka, gjatë një takimi me strukturat e partisë në qytetin e Durrësit.

Duke u ndaluar te roli i tij në negociatat për marrëveshjen Rama-Basha të 18 majit të vitit të kaluar ai tha se sërish për të mirën e vendit kjo marrëveshje duhej bërë, pavarësisht asaj që solli, zgjedhje të vjedhura e nën presion.

“Një vit më parë më 18 maj negociuam për marrëveshjen Basha-Rama, po jemi të pakënaqur me qeverinë sot. Ishte një situatë e vështirë që mund të sillte destabilitet ndaj i qëndrojmë kësaj marrëveshjeje”, u shpreh ai.

Atakoi zgjedhjet në qarkun e Durrësit, si zgjedhje të vjedhura dhe u ndal te situata e rënduar në Bashkinë e Durrësit, duke nisur nga betonizimi, investimet e pamenduara dhe të përsëritura që shtojnë sasinë e betonit të hedhur në qytet.

“Dakos i thonë të gjithë shqiptarët “Vangjush betoni”. Bashkë me rrugët e Durrësit u betonizuan edhe marrëdhëniet e mazhorancës me krimin”, akuzoi Duka.

Më tej, Duka tha se partia që drejton synon të ketë përfaqësim në të gjithë këshillat bashkiakë, pse jo në bashkëpunim me PD dhe partitë e tjera të opozitës të dalë me kandidatë të saj në Bashkinë e Durrësit e ndonjë bashki tjetër.

“Dako nuk besoj se di të menaxhojë, ndërkohë të shohim si do të shkojë situata me gjyqet që Bashkia e Durrësit ka me shoqërinë civile. Ka plot të rinj e të reja që të kandidojnë”, vijoi kreu i PAA.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi të organizuar në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet lokale të vitit 2019.

Top Channel