170 profesionistë të fushave të ndryshme nga diaspora shqiptare janë mbledhur në Prishtinë me rastin e konferencës katër ditore “Diaspora Flet”.
Të pranishëm, në konferencën e parë të këtij lloji, që synon nxitjen e një dialogu të strukturuar për të drejtat e shqiptarëve jashtë vendit, ishin edhe Ministrat e Diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Në fjalën e tij, Ministri Pandeli Majko, vlerësoi iniciativën për organizimin e një aktivitetit të tillë dhe e vuri theksin tek përshtatja e shtetit, përballë asaj që e quajti, “një sfidë administrative dhe politike”.
“Si fenomen, diaspora është një sfidë administrative dhe politike. Brenda një shoqërie ajo kërkon përshtatjen e “të larguarës” me “të qëndrueshmen”. Diaspora kërkon një ekulibër midis psikologjisë së parimit të “evolutives” me “statuskuonë” brenda një shoqërie. Ndërkaq, kjo përshtatje nuk ka si të jetë veç një “leksion” nëpër konferenca apo seminare, të shoqëruara me miratime ligjesh. Në thelb ajo do të kërkojë përshtatjen e kombit me rregullat e reja të globalizmit dhe vetëfunksionimin e tij në kushte të reja, të ndryshme nga ato që janë mësuar nga librat që nga koha e revolucionit francez”, ishin fjalët e Ministrit.
Në konferencë ishte i ftuar edhe eksperti i njohur ndërkombëtar për çështje të diasporës Kingsley Aikins, themelues dhe drejtor ekzekutiv i ‘Diaspora Matter’.Ai tregoi shembuj konkret të shteteve që kanë arritur suksese të mëdha në fusha të ndryshme, pikërisht duke shfrytëzuar potencialin e diasporës.
Top Channel