Pasi SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, javën e shkuar, si aleatët ashtu dhe armiqtë e Presidentit Trump kanë pësuar dëme nga mosangazhimi i tij në kompleksitetet e botës.
Tërheqja nga marrëveshja botërore për klimën solli qortime ndërkombëtare për presidentin dhe administratën e tij. Sot janë në lojë gjëra shumë më të mëdha.
Me tërheqjen e njëanshme nga marrëveshja bërthamore me Iranin i ka mohuar vetes mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, pikërisht kur mund të përfitonte nga ndihma e tyre.
Hapja e ambasadës amerikane në Jerusalem është një tjetër shembull.
Pa një plan paqeje e pa lëshime ndaj palestinezëve, Amerikës i është zvogëluar mundësia tani që të bëhet pjesë e zgjidhjes.
Asnjë nga diplomatët europianë nuk u ul përkrah Amerikës dhe Izraelit në ceremoninë e përurimit të ambasadës. Europianët e panë ngjarjen si ide të keqe, që më mirë duhej të ishte lënë në dorë të negociatave për paqe midis Izraelit dhe Palestinës.
Të vdekurit në protestën e Gazas në të njëjtën ditë me përurimin i ftohën edhe më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe BE-së, duke i lënë SHBA-të rrezikshëm larg rrjedhës së mendimeve botërore.
Presidenti francez Emanuel Makron, që u duk i lidhur me Trumpin gjatë vizitës së tij, dënoi dhunën e forcave izraelite kundër protestuesve. Qëndrimi i tij binte ndesh me atë të Shtëpisë së Bardhë, zëdhënësi i të cilës fajësoi Hamasin, një grup i quajtur terrorist nga SHBA-të.
Ngjarjet në Lindjen e Mesme po ndryshojnë me hap të shpejtë e në disa raste me pasoja të pakthyeshme.
Kushdo që mendon se Trump mund të bëjë kthesë papritur, tipike të tijën, gabohet rëndë.
Ndërkohë që hapja e ambasadës dhe vdekjet gjatë protestave tërhoqën vëmendje botërore të Hënën, armiku kryesor i Izraelit, Irani, shfrytëzoi daljen e Trump-it nga Plani i Përbashkët e Gjithëpërfshirës i Veprimit, që është emri zyrtar për marrëveshjen bërthamore.
Ministri i jashtëm Xhavaid Zarif udhëtoi nga Teherani në Pekin, Moskë e Bruksel për të shfrytëzuar heqjen që i bëri Trump kujdesit tradicional në diplomaci.
Irani po e përdor tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja si medalje nderi, dhe i kërkon vendeve të tjera që e kanë nënshkruar (Britanisë, Francës dhe Gjermanisë) të bëjnë të pamundurën e të tregojnë brenda 60 ditësh që marrëveshja mund të funksionojë.
Zyrtarët në Teheran thanë që nëse nuk bëhet kjo, ata janë gati ta çojnë programin bërthamor në një nivel edhe më të fortë se më parë.
Trump i do aleatët e vjetër të Amerikës, por vetëm me kushtet e tij.
Por në rendin e ri botëror Trumpian, nuk janë miqtë ata që po përfitojnë nga politikat e tij të keqmenduara, por kundërshtarët e tyre më të shkathët.
Për shembull, protestat me të vdekur në Gaza, të hënën.
Udhëheqësi i ri politik i Hamasit, Jahja Sinvar, po provon një mjet të ri politik, ndasitë midis SHBA-ve dhe BE-së.
Sinvar ka kaluar shumë vite në burgjet izraelite.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes që kanë pasur kohë ta studiojnë me kujdes, e përshkruajnë si një udhëheqës ndryshe nga tradicionalët e Hamasit, një person më i kujdesshëm. Thonë që ai nuk ka vizione largpamëse strategjike, por vepron shpejt dhe e llogarit lëvizjen e radhës duke u bazuar në lëvizjen e fundit.
Megjithatë, taktikat e tij të reja duke sakrifikuar strategjikisht rininë palestineze janë duke vënë në provë si Trump-in, ashtu edhe Izraelin.
Në vend të angazhimit të kamikazëve, taktikë që dështoi nga udhëheqësit e mëparshëm të Hamasit, Sinvari e ka angazhuar rininë në Gaza në një mënyrë më komplekse e më vdekjeprurëse.
Ata janë gati të vdesin duke bërë pikërisht atë që zyrtarët izraelitë thonë se mund t’i çojë drejt vdekjes: protesta në kufirin e Gazës, ku ushtarët izraelitë janë të armatosur.
Hamasi e di mirë çfarë po bën, siç e dinë ata që vdesin.
Palestinezët thonë se jeta në Gaza është aq e keqe sa ata nuk kanë për çfarë të jetojnë. Thonë që sakrifica – martirizimi, siç e quajnë – i bën mirë të gjithë komunitetit.
Këto taktika nuk do të funksiononin në vende të tjera. Por drejtuesi cinik i Hamasit, që çon të rinjtë drejt vdekjes, po e arrin qëllimin: po izolon Trump-in dhe po kthen opinionin botëror kundër tij dhe Izraelit.
Shtëpia e bardhë do ta kishte pasur më të lehtë t’i rezistonte shantazhit moral që i bën Hamasi, sikur Trump të mos kishte prishur besimin që kanë udhëheqësit europianë në gjykimin e tij.
Në të njëjtën kohë, aleati kryesor i Presidentit Trump, kryeministri izraelit Bejnamin Netanjahu, gjithashtu po prish disa marrëdhënie duke shfrytëzuar lëvizjen e ambasadës amerikane në Jerusalem për përfitime politike në vendin e tij.
Në përurimin që u bë të hënën, Netanjahu parashtroi kërkesat për negociata dhe për kontrollin e Jerusalemit: “Zoti bekoftë SHBA-të, Zoti bekoftë Jerusalemin, kryeqytetin e përjetshëm e të pandarë të Izraelit”, tha ai përpara turmës.
Por pozita zyrtare e administratës së Trump-it nuk është për një kryeqytet të pandarë.
Zv/Sekretari i Shtetit John Sullivan e refuzoi kapjen e tokave që u deklarua nga Netanjahu duke thënë: “Konturet e sakta të kufijve të Jerusalemit, vazhdimi i përpjekjeve për një zgjidhje midis dy shteteve, janë kushtet që vazhdojnë të jenë në lojë”.
Dëshira e Trump-it për t’i thjeshtuar vendimet politike tani po i kthehet si bumerang.
Shtatë ditët e fundit kanë qenë më të ftohtat në historinë midis SHBA-ve dhe Europës. Lidhjet që dikur ishin të patundura tani po gërryhen, dhe Lindja e Mesme po del jashtë kontrolli.
Kjo nuk është aspak normale. Dhe nuk ka për t’u kthyer siç ishte në një tani afër.
Nic Robertson, CNN
Top Channel