Një grua nga Çeçenia, e cila thotë se është personi më i vjetër në botë, është shprehur se ditëlindja e saj e 129 nuk është gjë tjetër veçse një ndëshkim nga Zoti.
Koku Istambulova deklaron se nuk ka parë një ditë të lumtur në jetën e saj dhe nuk e kupton dot se si ka arritur që të jetojë kaq gjatë.
Pasaporta e saj shkruan se ajo ka lindur në 1 qershor 1889. Vetë Koku shpjegon se nuk ka asnjë sekret për këtë jetëgjatësi.
“Është vullneti i Zotit, unë nuk kam bërë asgjë. Kam dëgjuar që njerëzit që jetojnë gjatë janë marrë me sport dhe kanë ngrënë ushqime të veçanta, por unë nuk kam bërë asgjë nga këto. Unë thjesht kam bërë punë të rënda, jam lodhur nga jeta. Jetëgjatësia nuk është dhuratë e Zotit për mua, është ndëshkim”, shprehet 129-vjeçarja, e cila ka nisur të ketë shumë probleme me shikimin.
Gjatë jetës së saj, Koku ka humbur shumë fëmijë, përfshirë një djalë 6-vjeçar. Vajza e fundit që i kishte mbetur vdiq 5 vite më parë, në moshën 104-vjeçare.
Top Channel