Mark Clattenburg, i cili braktisi Premier League vitin e kaluar për të pranuar një punë të paguar shumë herë më mirë në Arabinë Saudite, ka dhënë një rrëfim “tronditës” që ka të bëjë me stresin që përjetojnë njerëz si ai jashtë fushave të blerta.

Ai mund të mbahet mend si arbitri më i famshëm i futbollit anglez, e pashmangshmërisht edhe njëri prej atyre me të cilët tifozët thjesht ishin mësuar t’i urrenin. Por, Clattenburg ka pranuar së fundi se e ndiente tej mase presionin pas ndeshjeve të mëdha.

Marku ka zbuluar se shpesh konsumonte alkool, pasi arbitronte ngjarje sportive të mëdha, pasi duke bërë kështu përpiqej të largonte stresin.

“Si mund t’ia dilni të lini mënjanë tensionin që ushtrohet mbi ju pas gjykimit të një supersfide? Pini sa më shumë birra”, shkruan ai në një artikull për faqen e internetit të kompanisë së basteve “Paddy Power”.

“Shpesh i telefonoja gruas sime pas një ndeshjeje dhe ajo arrinte ta kuptonte shumë mirë nga zëri im, nëse pata kaluar një arbitrim të mirë, apo të gabuar të ndeshjes. Kur kthehesha në shtëpi, ajo mund të ishte shtrirë në krevat, shpesh edhe në gjumë, ndërsa frigoriferi padiskutim që do të ishte i mbushur me birra nëse do të kisha kaluar ndonjë mbrëmje makthi. Vetëm kur arbitrimi im do të shkonte mirë, pa tensione, atëherë ajo rrinte zgjuar e më priste”, thotë ai.

Ai hedh dritë kështu mbi presionin që ndiejnë arbitrat pasi bëjnë një gabim në fushat e blerta, e sigurisht edhe ndikimin që ka një veprim i tillë në gjendjen psikologjike të tyre.

“Po, është diçka e tmerrshme periudha pas një ndeshjeje, nëse ti ke bërë një gabim. Është e paimagjinueshme të udhëtosh në atë gjendje me automjet për t’u kthyer në shtëpi. Por, nëse ndeshja kalon mirë, padyshim që je në gjendje të dëgjosh të gjitha kanalet radiofonike që flasin mbi ndeshjen”, rrëfen Clattenburg.

Pas një mbrëmjeje makthi, ai sugjeron se më e mira është të ndezësh “bluetooth”-in e të dëgjosh muzikë.

Arbitri anglez u akuzua për racizëm në vitin 2012, pas një përplasjeje me ish-mesfushorin e Chelseat asokohe, John Obi Mikel. Por, pas një hetimi, Clattenburg u shpall i pafajshëm për këtë akuzë.

“Ndeshja më e keqe ka qenë ajo mes Chelseat dhe Manchester United, kur unë u akuzova si racist nga John Obi Mikel”, thotë ai. “M’u desh të fluturoja nga Aeroporti ‘Heathrow’, por lajmi kishte marrë dhènë dhe isha i detyruar të vuaja pasojat edhe gjatë fluturimit. Mbaj mend një djalosh që ishte ulur pranë meje, më njohu menjëherë e më tha ‘Ju jeni ai arbitri, apo jo? Në djall, keni përfunduar në të gjithë titujt e medies botërore’. Në të tilla raste e kupton edhe ndikimin real madhor që ka futbolli”, shkruan ndër të tjera ai.

E për ta përfunduar…

“Nuk mund të dilja nga shtëpia përgjatë javës së ardhshme. Përballja me faktin e të qenit i akuzuar për diçka që nuk e ke bërë është shumë e vështirë, sepse irritohesh edhe më shumë. Thjesht më duhej të lija hetimin të përfundonte e të prisja verdiktin”.

Më poshtë në fotogaleri mund të shihni përqindjen e ndeshjeve të fituara nga disa ekipe të Premier League, të arbitruara pikërisht nga Clattenburg.

FOTO GALERI
1/18
18. Middlesbrough 0%

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA