Në gjurmët e Kristal Abazajt, edhe Sindrit Guri zgjedh Belgjikën

15/05/2018 19:40

Pas akordit të Kristal Abazajt me skuadrën më të titulluar të futbollit belg, Anderlechtin, një tjetër lojtar shqiptar transferohet në Jupiler League.

“Bomberi” i Kukësit, Sindrit Guri, një prej zbulimeve të Kategorisë Superiore këtë sezon, ka arritur një marrëveshje me skuadrën KVV Oostende, e do të luajë atje sezonin e ardhshëm.

24-vjeçari që ka lënë mbresa me golat e tij, duke tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit të Kombëtares, ka firmosur një kontratë, e cila do ta lidhë me skuadrën belge për 3 vitet e ardhshme.

Në faqen zyrtare të Oostendes rezervohen edhe fjalë pozitive për Sindrit Gurin.

“Një sulmues i fortë në zonë dhe shumë teknik. Në 35 ndeshje në Superiore, ai ka shënuar 20 herë. Ka një nuhatje për golin dhe jemi të lumtur që na zgjodhi neve”, thuhet aty.

Trajneri Gert Verheyen e cilëson një përforcim të rëndësishëm për klubin me një histori 114-vjeçare, që së fundmi ka ndryshuar edhe pronësinë. Biznesmeni Peter Callant vendosi të përvetësojë aksionet, e Sindrit Guri është goditja e parë, me një vlerë që thuhet se do t’i sjellë Kukësit një fitim prej 500 mijë eurosh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA