Që nga zgjedhja e tij në krye të FIFA-s, Gianni Infantino ka nisur të ndryshojë jo pak lojën më popullore të planetit, duke nisur nga zgjerimi i Botërorit në 28 skuadra, apo sistemi i videoarbitrimit që do të përdoret këtë verë në Rusi.
Por, beteja e fundit e fituar e drejtuesit sportiv zviceran është ajo për reformimin e Botërorit të Klubeve, një turne që do të marrë përmasa sportive dhe financiare si asnjëherë më parë.
Turneu në fjalë do të ketë një frekuencë kohore 4-vjeçare dhe do të zhvillohet një vit para Kupës së Botës për kombëtaret.
Skuadrat pjesëmarrëse, sipas formatit të ri do të jenë 24, të vendosura mbi një kriter gjeografik. Në Botërorin e Klubeve do të jenë 12 ekipe europiane, 4 amerikano-jugore, dy afrikane, po kaq aziatike dhe amerikano-veriore, e dy të fundit të ndarë: një nga “play off”-i dhe një nga vendi organizator.
Ka ende paqartësi për kriteret e kualifikimit. Por, FIFA synon të ketë në Botëror të gjithë emrat e mëdhenj, me praninë e klubeve që kanë fituar të paktën 3 herë Champions League, si dhe skuadra të tjera si Atletico apo Dortmund.
Investitorët janë gati të hedhin 3 miliardë euro për çdo edicion. Një e treta e shumës do të përdoret nga FIFA, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në favor të klubeve, minimalisht 60 milionë euro për çdo pjesëmarrës.
Edicioni i parë do të zhvillohet në vitin 2021, në muajin qershor, e Kina është pretendentja kryesore për të organizuar Botërorin e ri të Klubeve.
Top Channel