Atletico luan fatet e sezonit, Simeone do të jetë…thjesht një tifoz!

15/05/2018 20:14

Ai ishte i pranishëm në konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes së fundit të Europa League, por nuk do të jetë në pankinë për t’i dhënë zemër skuadrës në përballjen më të rëndësishme të sezonit.

Diego Simeone është i skualifikuar për finalen e kësaj të mërkure ndaj Marsejës, por e lë skuadrën e tij në duar të sigurta.

“Jam i qetë, sepse zëvendëstrajneri Burgos e di sesi ta drejtojë ekipin. Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Marsejës, ku duhet të jemi të përulur. Luajmë një finale të mbushur me emocione, por shpresoj se do të limitojmë fazën ofensive të rivalëve tanë. Më trishton fakti që nuk do jem pranë skuadrës sime, por ndaj Arsenalit u pa se çfarë di të bëjë Atletico”, tha trajneri Diego Simeone.

Argjentinasi rikujtoi triumfin e vitit 2012 në Europa League, për t’iu dhënë zemër lojtarëve dhe tifozëve.

“Në finalen me Athletic Bilbaon nisi gjithçka për ne. Ishte një hap i rëndësishëm në rritjen e ekipit, edhe pse, sigurisht, Europa League nuk është si Champions League. Eksperienca që kemi fituar është e rëndësishme, por përballemi me një skuadër që ka ritëm të lartë dhe, nëse jemi të zotët, duhet ta futim ndeshjen në binarët tanë. I kam të gjithë në dispozicion dhe zgjedhjet janë të vështira”, tha Simeone.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA