Ish-trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka gjatë një konference për shtyp

E njoftoi pas humbjes me Partizanin dhe e kreu 24 orë më vonë. Ernest Gjoka ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen dhe nuk është më trajner i shkodranëve.

Një letër e dorëzuar në zyrën e administratorit Astrit Gjyrezi vulosi edhe mbylljen e bashkëpunimit, me Gjokën që vendosi se nuk ishte ai njeriu i duhur për ta drejtuar skuadrën në dy javët e fundit të kampionatit, ku kuqeblutë kanë shanse minimale për të evituar rënien nga kategoria.

Sinjalet trajneri i dha menjëherë pas ndeshjes, ku nuk u paraqit në konferencën për shtyp, ndërsa u pohoi gazetarëve se aventura e tij në Shkodër përfundoi. Deklaratat u cilësuan emocionale, edhe sepse drejtuesit e klubit prisnin qëndrimin zyrtar të trajnerit.

Pasi reflektoi për pothuajse një ditë rreth asaj që ndodhi, situatës kritike në të cilën ndodhet skuadra dhe paraqitjeve zhgënjyese të javëve të fundit, që nuk u trajtuan si finale për “jetë a vdekje”, Gjoka zgjodhi t’i hapte rrugën dikujt tjetër për të tentuar mrekullinë.

Një mision tejet i vështirë, ku përveç llogarive matematike që e mbajnë ende në lojë Vllazninë, shanset për të qëndruar mes më të mirëve duken minimale. Shkodranët duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e fundit ndaj Kukësit dhe Skënderbeut, ndërsa Kamza ose Teuta nuk duhet të fitojnë.

Për të shpresuar deri në fund te mrekullia, klubi kuqeblu ia besoi stolin trajnerit të ekipit B, Ervis Kraja, i cili do të nisë punën prej së martës, për të qëndruar në krye të stolit deri në fund të kampionatit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA