Shkeli sanksionet e ndërpreu punën, Trump premton shpëtimin e kompanisë kineze

14/05/2018 17:21

Në një shenjë të vullnetit të mirë në kuadër të bisedimeve tregtare, Shtetet e Bashkuara lajmëruan se do të ndihmojnë në shpëtimin e “ZTE”-së, një nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në Kinë.

Muajin e shkuar, “ZTE”-ja ndërpreu punën, pasi Uashingtoni ndaloi kompanitë amerikane që t’i shisnin asaj përbërës.

Telashet e “ZTE”-së nisën vitin e kaluar, kur ajo pranoi se i kishte shitur teknologji amerikane Iranit dhe Koresë së Veriut.

“ZTE”-ja u gjobit me 1.1 miliard dollarë dhe ndalimi i importeve amerikane hyri në fuqi muajin e shkuar, pasi kompania dështoi të marrë masa dhe nuk ndëshkoi punonjësit e saj që shkelën sanksionet.

Por, presidenti amerikan Donald Trump tha se ka vendosur ta ndihmojë “ZTE”-në.

“Presidenti Xi Jinping i Kinës dhe unë po bashkëpunojmë që t’i japim kompanisë kineze ‘ZTE’ një mundësi për t’u kthyer shpejt në biznes. Shumë vende pune janë humbur. Departamenti i Tregtisë është udhëzuar ta mbarojë këtë punë”, shkroi Trump në “Twitter”.

Ekspertët thonë se mesazhi përbën një kthesë dramatike, nga Trumpi që e ka akuzuar shpesh Kinën se vjedh vendet amerikane të punës. “ZTE”-ka punëson mbi 80 mijë njerëz dhe besohet se shpëtimi i tyre është pjesë e bisedimeve tregtare mes Amerikës dhe Kinës.

Kjo e fundit mirëpriti zotimin amerikan për shpëtimin e “ZTE”-së dhe tha se vazhdon komunikimi i ngushtë për të arritur suksesin e pritshëm në këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA