Ndarja e vazove, Champions i edicionit 2018-19 nis të marrë formë

14/05/2018 22:22

“Mbretëresha” e Europës për sezonin 2017-2018 nuk është përcaktuar ende, e do të dalë pikërisht nga supersfida e 26 majit në Kiev, aty ku Reali i Madridit dhe Liverpooli do të përplasin “brirët” për trofeun “me veshë të mëdhenj”.

Megjithatë, Champions League ka nisur të marrë formë për sezonin e ardhshëm. Duke qenë se pjesa më e madhe e kampionateve të Europës janë mbyllur, ose janë në prag të përfundimit, deri më tani janë kualifikuar 21 skuadra për një vend në fazën e grupeve, aty ku do të ketë 32 pjesëmarrëse gjithsej.

Duhen ende 11 ekipe për t’u kompletuar lista, mes të cilave edhe ato që do të dalin nga turet kualifikuese të verës. Por, skuadrat që do të renditen në vazon e parë thuajse janë mësuar. Kjo vazo do të jetë e përbërë nga skuadrat kampione të 6 kampionateve më të rëndësishme: më konkretisht Barcelona, Manchester City, Juventusi, Bayern Munchen, Paris SG dhe Lokomotiva e Moskës. Këtyre do t’iu shtohen fituesi i Europa League (në finale ndeshen Atletico Madrid dhe Marseille), e padyshim edhe fituesi mes Realit dhe Liverpoolit.

Humbësi i finales së Championsit do të zbresë në vazon e dytë, ndërsa për kualifikim nuk diskutohen, pasi të dyja skuadrat e kanë “prerë biletën” falë renditjes në kampionatet respektive. Por, “The Reds” rrezikojnë të zbresin në vazon e tretë, nëse humbasin finalen ndaj Realit.

Sa i përket vazos së dytë, deri më tani është e sigurtë që do të jenë Atletico Madrid (kalon tek e para nëse fiton Europa League), Manchester United, Shakhtar Donetsk, Tottenham, Borussia Dortmund dhe Napoli. Roma, e cila është kualifikuar, do të mund të ngjitet në vazon e dytë gjithnjë nëse Liverpooli nuk triumfon ndaj Realit në Kiev.

Në vazon e tretë janë të garantuara dy të kualifikuarat e tjera, Schalke 04 dhe Valencia. Një vend në fazën e grupeve do të ketë edhe për dy ekipe franceze, mes Marseille (nëse fiton Europa League futet në vazon e tretë) dhe Monacos e Lionit (që duelojnë për vendin e dytë në kampionat. Por, nëse Marseille humbet ndaj Atleticos, e treta shkon në Champions).

Të tjera ekipe të kualifikuara do të jenë Club Brugge, kampion i Belgjikës; dhe Galatasaray, vetëm një hap titullit në Turqi; por që të dyja rrezikojnë vazon e katërt.

Vendin e fundit mes 26 të garantuarave sipas renditjes në kampionate do ta përcaktojë sfida e javës së fundit të Serie A mes Lazios dhe Interit, që do të luhet të dielën në “Olimpico”. Nëse fiton Lazio dhe kualifikohet do të jetë në vazon e tretë; ndërsa nëse fiton skuadra e Spallettit do të futet në vazon e katërt.

Në mënyrë të përmbledhur, këto janë 21 ekipet e kualifikuara tashmë në Championsin e 2018-2019: Juventusi, Napoli, Roma; Barcelona, Atletico Madrid, Real Madrid, Valencia (Spanjë); Manchester City, Manchester United, Tottenham, Liverpool (Angli); Bayern Munchen, Schalke 04, Hoffenheim, Borussia Dortmund (Gjermani); PSG (Francë); Porto (Portugali); Lokomotiva e Moskës dhe CSKA-ja e Moskës (Rusi); Shakhtar Donetsk (Ukrainë); Club Brugge (Belgjikë).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA