Pasi Donald Trump njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, klubi historik i futbollit, Beitar Jerusalem, ka ndryshuar emrin në nder të presidentit amerikan.

Para përurimit të Ambasadës amerikane në Jeruzalem, këtë të hënë, klubi do të luajë në ligën “ha’Al” me emrin Beitar Trump Jerusalem, si “mirënjohje për guximin e treguar nga presidenti i Amerikës”.

Në dhjetor të vitit të shkuar, presidenti Trump doli kundër të gjithë aleatëve dhe njohu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.

“Jeruzalemi ka 70 vite që pret njohje ndërkombëtare, derisa presidenti Trump, me një lëvizje të guximshme, e njohu si kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit”, thotë njoftimi për shtyp nga Beitar, që nuk sqaron nëse ndryshimi i emrit do të jetë i përhershëm.

“Presidenti Trump shfaqi guxim dhe dashuri të pastër për popullin izraelit dhe kryeqytetin e tyre, e shtete të tjera po vazhdojnë ta ndjekin, duke i dhënë Jeruzalemit statusin që i takon. Për këtë arsye, Beitar Jerusalem, një nga simbolet më të mëdha të këtij qyteti, ka dëshirë ta nderojë presidentin për mbështetjen me një veprim simbolik nga ana jonë”, vazhdon njoftimi për shtyp.

“Presidenti i klubit, pronari Eli Tabib, si dhe menaxheri Eli Ohana kanë vendosur t’i vënë klubit emrin e presidentit amerikan, i cili bëri histori. Që tani e tutje do të quhet Beitar Trump Jerusalem”, pohon klubi në këtë deklaratë.

Beitari ka fituar 6 kupa të ligës “ha’Al” dhe pritet që sezonin 2017-2018 ta përfundojnë të dytët, pas Hapoel Be’er Sheva.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA