La Liga, java e fundit luhet për qejf. Verdiktet u dhanë në javën e 37

13/05/2018 12:27

Futbolli spanjoll i zgjidhi të gjitha enigmat e këtij sezoni. Përveç titullit kampion të La Ligës, që u vendos në sfidën mes Barcelonës dhe Deportivos, në fund të muajit prill, verdiktet e tjera u dhanë një ditë më parë.

Tashmë janë të përcaktuara skuadrat që do të luajnë në Champions League; Barcelona, Atletico Madrid, Real Madrid e Valencia. Skuadrat e Simeones dhe të Zidane i fituan ndeshjet e tyre respektive me Getafen dhe Celta Vigon, 1-0 dhe 6-0, me “Los Colchoneros” që duket se se kanë hipotekuar vendin e dytë.

Në këtë pikë, Reali do të mund t’ia marrë këtë pozicion Atleticos nëse fiton ndeshjen e fundit, e nëse “bardhekuqtë” humbasin. Nëse kjo ndodh, Atletico e Reali do të jenë me pikë të barabarta dhe “Los Blancos” do të përfitonin nga golavarazhi, duke qenë se ndeshjet e drejtpërdrejta mes rivalëve madrilenë kanë përfunduar në barazim.

Valencia është e qetë në vendin e katërt, sepse diferenca me Villarrealin është 10 pikë.

Për sa i përket zonës së Europa League, Villarreali dhe Real Betis do të jenë skuadrat që do të luajnë në fazën e grupeve të këtij kompeticioni, ndërsa Sevilla, që barazoi 2-2 në derbin andaluazian pikërisht ndaj Betisit, blindoi vendin e 7, që do të thotë se skuadra e Caparros do të luajë në fazën e “play off”-eve të Europa League.

Ndërkohë, në lidhje me skuadrat e vendeve të fundit, gjithçka u vendos pikërisht ditën që u zgjidh çështja e titullit kampion, me Deportivo la Coruna që u mund në “Riazor” nga Barcelona, duke iu bashkuar Malagës dhe Las Palmasit në “Segunda Division”.

Por jo vetëm kaq, edhe lufta për titullin e golashënuesit e ka një fitues virtual. Lionel Messi, që kryeson këtë klasifikim, është në kuotën e 34 golave, 9 më shumë sesa Cristiano Ronaldo, që është në vendin e dytë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA