Kohë lamtumirash te PSG. Tërhiqet Motta, ikën edhe Emery

13/05/2018 14:18

Te Paris Saint Germain ka ardhur momenti i lamtumirave. Klubi parizien dhe tifozët e tij përshëndetën për herë të fundit Thiago Mottën, i cili vendosi që të tërhiqej nga futbolli i luajtur pas 510 ndeshjeve të zhvilluara në karrierë, me 40 gola të shënuara.

Në moshën 36-vjeçare, braziliani i natyralizuar si italian “vari këpucët në gozhdë”, por ai nuk do të largohet nga transalpinët. Në fakt, Thiago Motta do të drejtojë skuadrën e U19-s të Parisit.

Pas ndeshjes së fundit të kampionatit, mefushorit iu dedikua një “standing ovation” i madh nga ana e të pranishmëve në stadium, ndërkohë që klubi i përgatiti një video përshëndetëse, ku nuk kanë munguar mesazhet e ardhura nga trajnerë e futbollistë të ndryshëm.

Por, mbrëmja e së shtunës ishte edhe e përshëndetjes së fundit të trajnerit Unai Emery. Spanjolli e kishte deklaruar më herët largimin e tij nga Paris SG, me të cilin arriti të fitojë 7 tituj, ndërkohë që pengu i madh ishte eliminimi në Champions League.

Ai që do të qëndrojë është braziliani Neymar. Të paktën kjo është ajo që ka deklaruar presidenti i Parisit, Nasser Al-Khelaifi, që theksoi se është 2000% i sigurtë se braziliani nuk do ta braktisë skuadrën e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA