Atalanta i shkëputi me forcë një pikë Milanit, në një ndeshje të rivalizuar e luftuar deri në minutat e fundit dhe në kufijtë e një ndeshjeje normale.
Në “Bergamo” ishte një ish që e ndëshkoi Etrit Berishën. Kessie gjeti golin e avantazhit për Milanin, ndërsa 4 minuta më vonë gjërat u përkeqësuan për vendasit pasi Toloi u largua nga fusha e lojës i ndëshkuar me dy të verdhë.
Por, edhe pse me 10 lojtarë, Atalanta këmbënguli dhe rriti presionin ndaj Milanit, që fillimisht pasoi daljen me të kuq të Montolivos dhe më vonë golin e barazimit të shënuar nga Massielo në minutat kohës shtesë.
Sa e luftuar ishte kjo ndeshje e tregojnë statistikat, ku gjyqtari i takimit nxorri plot 12 herë kartonin e verdhë dhe dy herë të kuqin.
Pas fërshëllimës së gjyqtarit Guido, të dy skuadrat ndanë nga një pikë dhe tashmë vijojnë të mbajnë pozicionet përkatëse, me Milanin në vendin e 6 me 61 pikë dhe Atalantën në të 7-tin me 60. Të dyja skuadrat thuajse kanë siguruar praninë në Ligën e Europës dhe në javën e fundit pritet të vendoset se kush do të shmangë turet paraeleminatore të korrikut e gushtit.
Milanit i duhet të fitojë ndaj Fiorentinës për të qenë i qetë në këtë aspekt, ndërsa Atalanta luan në transfertë ndaj Kaljarit. Skenari më i pamundur duket ai i një fitoreje me goleadë të Fiorentinës ndaj Milanit, për të rekuperuar golevarazhin +7 nga Atalanta dhe humbja e kësaj të fundit me Kaljarin.
Top Channel