Qeveria ka deklaruar se do ta rrisë buxhetin për arsimin me 5%, por ky mbeti një premtim elektoral, pasi edhe në këtë mandat të dytë të të majtëve, kjo nuk ka ndodhur.
Sipas raportit të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, mbi financimin e arsimit publik në vitet 2008-2018 rezulton se Shqipëria mbetet një nga vendet me buxhetet më të ulëta të arsimit në të gjithë Europën, por edhe me më pak investime nga të huajt.
“Investimet e huaja janë thuajse 0, nga viti 2014 me një ndryshim të vogël në 2018, ndërkohë shikojmë që investimet e bashkimit europian në shqipëri janë rritur, investimet e bankës botërore janë rritur”, thotë Altin Hazizaj nga kjo qendër.
Sipas studimit, shpenzimi vjetor për nxënës ka qenë në nivelin më të lartë në vitin 2015, kur Qeveria shpenzoi rreth 62 mijë lek në vit (rreth 470 Euro), ndërkohë që vitet 2017 dhe 2018 shënojnë rënie të shpenzimeve për nxënës. Sa i takon nxënësve në klasa, raporti fshat-qytet mbetet gjithmonë e më i pabarabartë
“Nëse nxënësit janë në qytet është thuajse dyfishi i numrit në klasë krahasuar me nxënësit në klasat e zonave rurale. po ky disnivel është e njëjtë edhe sa i takon numrit të mësuesve. 1 në 3 fëmijë është i rrezikuar për të braktisur shkollën. kemi thuajse një dyfishim të kostove të familjeve shqiptare në arsim, 2.5 herë”, shton ai.
Në studim evidentohet se ka rënë në mënyrë drastike numri i nxënësve në arsimin parauniversitar duke rrezikuar mbylljen e disa shkollave dhe shkurtim të personelit mësimor. Por, në raport nuk pasqyrohen emrat e shkollave ku nuk janë kryer investime apo ku numri i nxënësve është tepër i ulët. Kjo, për një arsye
“Ministria e financave dhe ministria e arsimit në mënyrën sesi e përgatisin buxhetin e shtetit nuk të japin mundësi që të bësh një analize të plotë të ndarjes së buxhetit sipas qarqeve, sipas bashkive dhe zonave rurale apo urbane. kjo e bën të pamundur që të kemi të foto të plotë të problemeve sipas zonave dhe rajoneve”, shprehet Hazizaj.
“1 Qershori” është një nga shkollat që nuk është rikontruktuar. Sipas një studimi për financimin e arsimit publik në Shqipëri rezulton se investimet në arsim janë ulur ndjeshëm, madje buxheti i vitit 2018 thuhet se nuk e tejkalon fondin e parashikuar në vitin 2013.
Nëse qeveria do ta kishte prioritet arsimin dhe do të investonte më shumë për të, me siguri shkolla “1 Qershori” do të ishte sot në listën e shkollave që do të ishin rregulluar.
Top Channel