Tirana për turistët, të vetmit që vizitojnë muzetë, por jo të gjitha janë të hapura

12/05/2018 22:45

Tirana vizitohet shumë nga turistët e huaj që zgjedhin të udhëtojnë një ditë apo më shumë në Shqipëri.

Ndalesa e parë janë muzetë. Kryeqyteti ofron disa të tillë. Me kamerën e Top Channel vëzhguam disa prej tyre dhe vumë re se vetëm te turistët e huaj janë ata që popullojnë pavionet e tyre. Në muzeun Kombëtar, gjenden turistë nga Gjermania dhe Portugalia.

“Është shumë interesante. Ju keni histori që nga periudha paleolite e deri në ditët e sotme. Guidat thonë që ky muze duhet vizituar dhe mendoj se ja vlen rruga deri këtu”, thotë një portugeze.

“E vizitova muzeun për të marrë një përshkrim të historisë së Shqipërisë. Historia juaj është mjaft e lidhur me luftën e dytë botërore. Këtu mund të kalosh një ditë të tërë”, thotë një turiste e ardhur nga Gjermani.

Edhe në një tjetër muze, “Bunkart 2”, që përcjell tek vizitorët pjesë të historisë së komunizmit të Shqipërisë, vizitorët janë të huajt nga Holanda vendet e lindjes, apo nga Kosova.

“Ka vlerat e veta dhe është shumë e rëndësishme të njihemi me historinë e Shqipërisë. Është hera e dytë që e vizitoj “Bunkart”. Bunkart ka informacione që nuk i kemi hasur deri tani”, thotë një kosovar.

“Gruaja ime është nga lindja, pra nga ana tjetër e perdes së hekurt, kurse unë jo. Ajo gjen gjithnjë destinacione të tilla”, thotë një holandez.

“Ne e bëmë muajin tonë të mjaltit në Iran dhe na pëlqejnë desitnacionet që nuk janë të mbipopulluara me turistë”, shprehet një polake.

“Ne jemi këtu për dasmën e shoqes sonë, e pyetëm dhe na sugjeroi të vizitonin edhe këtë vend”, thotë një amerikane.

“Këtu po shohim gjëra që në SHBA nuk kemi dëgjuar asnjëherë. Është e rëndësishme të njihemi me këtë histori, është shumë intriguese.

“Nuk kemi vizituar shumë muze, dhe këtu erdhëm sepse na e sugjeruan. Megjithatë mezi po presim që të njohim sa më shumë historinë e Shqipërisë”.

Sipas guidave, periudha e verës sjell më shumë vizitorë në dyert e muzeve.

“Tani gjatë kësaj periudhe 80-100, por nuk ka një numër fiks. Gjatë fundjavës ka një numër më të madh vizitorësh. Gjatë periudhës së verës, duke përfshirë edhe shtatorin ka një bum vizitorësh. Një informacion të përgjithshëm kërkojnë, pastaj sigurisht më shumë të interesuar janë për periudhën e diktaturës”, shprehet Dea Dervishaj, Guide, Bunkart 2.

Të paktën këtë të shtunë, “Shtëpia me gjethe” ishte më pak e frekuentuar, ndërsa muzeu i i Natyrës, do të qëndrojë edhe për disa ditë i mbyllur për shkak të procesit të dizinfektimit.

Tirana ka edhe atë që mund të quhet muze i hapur dhe që janë rrugët dhe ndërtesat ato të ndërtuara që nga koha e pushtimit fashist deri te më të rejat dhe modernet.

Top Channel