11 maji ishte një ditë e ngarkuar për prokurorët e dosjes “Tahiri”. Siç thonë burimet, ata kanë kërkuar masën “arrest me burg” në mungesë për shtetasin Saimir Tahiri.
Pasi e mori të premten kërkesën për arrest në mungesë për ish-ministrin e Brendshëm, të shtunën gjyqtarja e çështjes Liljana Baku erdhi në Gjykatën e Krimeve të Rënda në orën 8:30 minuta. Gjatë gjithë ditës, ajo u mbyll në zyrë për të shpallur vendimin ndoshta më të vështirin për të, për sa kohë e pati të pamundur të jepte një verdikt të premten mbi kërkesën e akuzës.
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e “arrestit shtëpie” për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri i dyshuar për trafik narkotikësh dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Në fakt, në orën 10:00 të së premtes Prokuroria kërkoi “arrest me burg” për Saimir Tahirin, ndërkohë që gjyqtarja Liljana Baku është e njëjta gjyqtare që më herët ka dhënë vendimin e bllokimit të pasaportës për Saimir Tahirin, një vendim ky që u rrëzua nga apeli, por që aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
Pasi ka zbardhur vendimin e arrestit shtëpiak, gjyqtarja e çështjes la gjykatën në orën 16:50 minuta, ndërsa pas saj u larguan edhe disa nga prokurorët e dosjes sensitive si Dritan Premçi dhe Elisabeta Imeraj. Pas këtij vendimi, në zyrë mbërritën dy prej krerëve të policisë së shtetit Aida Hajnaj dhe Edi Merkaj, të cilët pas takimit me njërin prej prokurorëve të dosjes u larguan pa komente.
Saimir Tahiri u shfaq në ballkonin e shtëpisë së tij pak çaste pasi mësoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, fillimisht vetëm dhe më pas me avokatin e tij prej tetë muajsh, Maks Haxhinë. Në shtëpinë e tij bujtën edhe oficerët e policisë së shtetit që i komunikuan masën për të mos dalë jashtë banesës.
Tashmë Saimri Tahiri duhet të dalë para gjykatës brenda tre ditëve, ndërkohë që nuk dihet nëse Prokuroria do ta kundërshtojë në apel këtë qëndrim të shkallës së parë. Por siç thonë burimet, akuza ka kërkuar një masë sigurie sipas të njëjtave prova të bëra publike edhe më herët. I vetmi ndryshim kësaj radhe ishte përmendja e dy letërporosive dhe dyshimi i arsyeshëm.
Top Channel