Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi bëri të ditur nga Korça se Thirrja e Parë e programit IPARD do të çelet brenda majit, duke i kërkuar fermerëve dhe agropërpunuesve të aplikojnë.
“Kini me shumë besim të aplikoni më tepër, sepse mundësitë janë dhe tani është “kthyer pllaka”. Tani nuk ankohemi më, për burime financiare, tani përpiqemi si t’i përthithim këto burime financiare. Paratë i kemi, por duhet të gjendet rruga, si të shkojme tek fermeri, tek investitorët, tek agropërpunimi etj.”, tha Peleshi.
Ai tha se sfida e programit ambicioz 100 fshatrat shtrohet në atë që gjatë këtij 4 vjeçari të ndërhyhet në këto 100 fshatra të përzgjedhura dhe ndryshimi në infrastrukturë, shërbime etj. të jetë i dukshëm.
“Pra, duke filluar nga ky vit, ne kemi një hapësirë më shumë se 100 milionë euro për të financuar investime në bujqësi, agropërpunim, agroturizmi, përpunim bimësh medicinale dhe gjithë gamën e këtij sektori”, vijoi Peleshi.
Ministri tha se janë parashikuar 400 takime për programin e llogaridhënies, ku vetë ai do të takojë personalisht qytetarët.
Top Channel