Spartaku hyn në arenë, KQZ i jep mandatin e Saimir Tahirit

Spartaku hyn në arenë, KQZ i jep mandatin e Saimir Tahirit

Në unanimitet, me 7 vota Pro, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha Spartak Brahos mandatin e lënë bosh nga lista shumemërore e Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës, pas dorëheqjes së Saimir Tahirit.

Sipas administratës së KQZ, Braho rezulton i dënuar më parë, por vepra nuk e bën atë subjekt të ligjit të dekriminalizimit.

“I dënuar me gjobë për shpifje, por që nuk është subjekt i dekriminalizimit”, tha sekretari i KQZ.

Në një lidhje telefonike me Top Channel, Braho shpjegoi përse nga ngurrimi fillestar, në fund vendosi ta pranojë mandatin.

“Pa dyshim që do ta pranoj. Nuk kam arsye pse të mos e pranoj. Kam që në vitin 1996 që jam prezent në listat e deputetëve të Partisë Socialiste dhe deputet i saj në dy legjislaturat e fundit. Kam patur dilema në fillim, por sa kohë që aty qëndron Sali Berisha, pse të mos shkoj dhe unë”, u shpreh Braho.

Përfaqesuesi ligjor i PD kishte një mesazh për Prokurorinë.

Ivi Kaso: Në emër të PD shprehim besimin dhe inkurajim për Prokurorinë që t’i hapet rruga dhe të zbardhë deri në fund hetimet. (për Tahirin)

Klement Zguri, kryetar i KQZ-së: Vendimarrja e KQZ është për shkak të ligjit. Ne nuk bëjmë asgjë më shumë se kaq.

Por pavarësisht qëndrimeve politike, nuk ishte ky vendim i KQZ që pengonte Prokurorinë në çështjen Tahiri, pasi në bazë të Kushtetutës, ish-ministri rezulton pa imunitet, që prej datës 4 maj, kur zyrtarizoi dorëheqjen nga mandati.

Kjo bëhet e qartë edhe në shkresën e Kuvendit drejtuar KQZ, ku theksohet se Tahiri nuk ka mandat dhe citohet Neni 71, pika 2 gërma b e Kushtetutës, që sanksionon se mandati i deputetit është i pavlefshëm kur ai heq dorë prej tij.

Pra në rastin e Tahirit, më 4 maj 2018.

Top Channel