Samiti për Ballkanin dhe BE, Bushati: Procesi i anëtarësimit, përfitues të dy palët

11/05/2018 12:15

Nikos Kotzias dhe Ditmir Bushati ishin në të njëjtën linjë në qëndrimin e tyre për zgjerimin e BE-së edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nga takimi i dytë i ministrave mes vendeve të grupit të Vishegradit dhe 4 vendeve të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Athinë, ministri Ditmir Bushati tha se nga procesi i zgjerimit përfitojnë të dyja palët.

“Elementi i parë i rëndësishëm është që të sigurohemi që ky proces të jetë përfitues për të dyja palët. Vendet e Ballkanit Perëndimor po përpiqen të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Për ne, ky proces është një instrument për të transformuar vehten tonë. Por, është gjithashu i rëndësishëm për Bashkimin Europian që të zgjerohet me vendet e rajonit. Ne mblidhemi në Sofje, 15 vjet pas Selanikut dhe ende sot paradoksalisht ne shijojmë ende frutet e procesit të Selanikut. Flasim për programet e komunitetit, partneritetin europian, liberalizimin e vizave, programet europiane dhe të gjithë elementët që lidhen me procesin e kandidimit. Është koha që BE të mendojë më shumë në terma strategjikë rreth këtij rajoni, rreth vendeve të ballkanit perëndimor”, tha Bushati.

Edhe Bullgaria, që mban presidencën aktuale të BE-së, kërkoi që vendet e rajonit të Ballkanit të integrohen sa më parë.

Në fokus të samitit do të jenë edhe çështjet me interes si energjia dhe bashkëpunimi rajonal mes vendeve.

Ministri Bushati u ndal gjatë fjalës së tij edhe tek përfitimet ekonomike dhe ato të sigurisë, duke kujtuar këtu ndihmën që vendet e Ballkanit Perëndimor dhanë gjatë krizës së emigracionit vitet e fundit.

Sa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, sot priten zhvillime pozitive pasi gjatë pasdites dy ministrat do të firmosin marrëveshjen për njohjen e patentave shqiptare.

Top Channel