Replikat Rama-Lu/ Ambasadori: Për Xhafajn të flasë në emrin e tij dhe jo në emrin tonë

11/05/2018 20:43

Fatmir Xhafaj u mbrojt nga kryeministri Rama përmes ambasadorit amerikan.

“Nëse do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të ministrit tonë të brendshëm përpara se të kishin folur këta do të kishte folur miky ynë, ambasadori amerikan”, tha një ditë më parë në Kuvend Rama.

Por 24 orë më pas Donald Lu i vuri kryeministrit kufirin tek thana.

“Kryeministri Rama duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e ministrit Xhafaj”, tha Lu.

Edi Rama nuk vonoi t’i ndante punët.

“Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet. Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur me mua”, reagoi Rama.

Gjatë së premtes, debati mes palëve në politikë vijoi sërish për pikën “F” të nenin 490 të kodit të procedurws Penale që siç akuzoi Partia Demokratike, Fatmir Xhafa e klasifikuar për të mbrojtur vëllain. Në “Facebook”, Vasilika Hysi tha se neni aktual është i njëjtë me atë të miratuar në Komisionin e Ligjeve.

“Neni që është kazusi i radhës i opozitës është reflektim i konventës se ekstradimit, protokolli shtesë. Kur një projekt-ligj pëson shumë ndryshime, miratohet si variant integral. Në komision është votuar varianti që është në fuqi”, tha Hysi.

Por PD tha se kjo nuk tregohet nga dokumentet zyrtare. Sipas tyre me këtë nen nuk respektohet as Konventa për ekstradimin.

“Ekstradimi mund të refuzohet, vetëm në ato raste kur Shqipëria mendon se procedurat e gjykimit në një çështje konkrete nuk përmbushin të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për një person të akuzuar për një vepër penale. Në këtë rast, kërkohet garancia për rigjykim”, u shpreh Alibeaj.

Ndërsa që prej 1 gushtit kodi i procedurës Penale është bërë pengesë edhe për ata të dënuar që e kanë pasur mbrojtjen minimale me avokatë për të cilën flet Konventa. Të tillë e ka pasur mbrojtjen Agron Xhafa, dënuar nga tre shkallët e gjyqësorit italian me 7 vjet burg.

“Asnjë vend i Bashkimit Europian apo SHBA, nuk jep garanci për rigjykim në raste të tilla. Kjo nënkupton që personi i dënuar as nuk ekstradohet dhe as nuk e vuan dënimin në burgjet shqiptare”, tha Gazmend Bardhi.

Demokratët thanë se këto janë fakte publike të pakundërshtueshme për të cilat prokuroria duhet të veprojë ndaj Fatmir Xhafës. Ndërsa Petrit Vasili, partia e të cilit ishte qeverisëse kur kodi i procedurës penale është miratuar, kërkon që të hetohet edhe nga Parlamenti se çfarë ka ndodhur dhe neni në fjalë të ndryshojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA