Partia Demokratike vijon me publikimin e fakteve për vëllain e Fatmir Xhafës, teksa deputeti Enkelejd Alibeaj ka reaguar edhe për deklaratat e Vasilika Hysit dhe Ulsi Manjës.

Për PD-në, Hysi dhe Manja “mashtruan sot në mënyrë të pacipë, për t’i ardhur në ndihmë Fatmir Xhafajt, të kapur në flagrancë duke falsifikuar ligjet e Reformës në Drejtësi për të shpëtuar të vëllain e dënuar për trafik droge”

“Konventa Europiane për Ekstradimin, që ka qenë në fuqi dhe është zbatuar, edhe përpara se të bëhej ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, thotë krejt të kundërtën e asaj që deklaruan kamikazët e mazhorancës. Konventa Europiane e Ekstradimit thotë shprehimisht se: “Ekstradimi mund të refuzohet, vetëm në ato raste kur Shqipëria mendon se procedurat e gjykimit në një çështje konkrete nuk përmbushin të drejtat minimale të mbrojtjes, të njohura për një person të akuzuar për një vepër penale. Në këtë rast, kërkohet garancia për rigjykim”. Nëse personit të dënuar në mungesë, i janë respektuar të drejtat minimale të mbrojtjes, por ai vetë ka zgjedhur që t’i fshihet drejtësisë, atëherë jo vetëm nuk kërkohet garanci për rigjykim, por sipas Konventës është e detyrueshme që të lejohet ekstradimi. Kjo është Konventa. Ky është standardi europian”, thotë Enkelejd Alibeaj.

PD vijon më tej se rasti i vëllait të Ministrit të Brendshëm, hyn në rastet kur Konventa lejon ekstradimin pa kërkuar garanci për rigjykim. Kjo për faktin se atij i janë respektuar të drejtat e mbrojtjes të cilat Agron Xhafaj i ka ndjekur deri në fund përmes avokatëve të tij.

“Dokumentet zyrtare të drejtësisë Italiane vërtetojnë se:
1. Agron Xhafaj është është vënë në dijeni personalisht për ndjekjen penale.
2. Agron Xhafaj ka pajtuar avokat mbrojtës
3. Ai dhe avokatët e tij kanë ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit të Leces dhe më pas në Gjykatën e Lartë Italiane.
4. Këto ankime dhe provat dhe argumentet e paraqitura nga avokatët mbrojtës janë rrëzuar përfundimisht nga të dyja këto Gjykata.
5. Vendimi është përfundimtar dhe i formës së prerë dhe e drejta e mbrojtjes të dënuarit Xhafaj është garantuar plotësisht.

Por Agron Xhafaj, ka zgjedhur t’i fshihet drejtësisë dhe të strehohet në Shqipëri Në këto kushte, asnjë autoritet italian nuk jep garanci për rishikim të vendimit, në shkelje te legjislacionit italian dhe Konventës Europiane për Ekstradimet. Tani si pasojë e amendamentit korruptiv Xhafaj në Kodin e Procedurës Penale, është pamundësuar ekzekutimi i dënimit në Itali ose në Shqipëri. Pra i dënuari me 7 vjet e 2 muaj burg për trafik droge nuk vuan asnjë ditë!”, tha këshilltari ligjor i PD-së, Gazment Bardhi.

Top Channel