Demollari bëhet ‘Mjeshtër i Madh’ nga presidenti Meta

11/05/2018 18:07

Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”, trajnerit ish-futbollistit të Dinamos dhe ekipit kombëtar Sulejman Demollari.

Në një ceremoni speciale në ambjentet e presidencës, kreu i shtetit i dorëzoi urdhrin legjendës Demollari, me motivacionin: “Në vlerësim të talentit, profesionalizmit dhe rezultateve të larta, si futbollist me një karrierë shumë të suksesshme në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlerat e një sportisti model, shembull frymëzimi për të gjithë futbollistët e rinj”.

Presidenti Meta në fjalën e tij tregoi se si e ka njohur Demollarin dhe vlerësoi kontributin e madh që ka pasur ish-futbollisti i famshëm për sportin shqiptar dhe për imazhin e Shqipërisë. “Në futboll kur thua Demollari i ke thënë të gjitha. Demollari pati jo vetëm talentin e lindur, por edhe përkushtimin e pasionin për ta ushqyer këtë talent me një punë të jashtëzakonshme. Ai arriti të merrte nga idhujt e tij elementet më të mira, që nga Zëri, fanellën e të cilit mori me Dinamon, duke vazhduar me Ballgjinin, Përnaskën e me gjithë të tjerët duke shkëlqyer gjithmonë në fushë dhe duke qenë një lojtar jashtëzakonisht i madh. Titullin “Mjeshtër i madh” ai e ka marrë në fushën e lojës, ia kanë dhënë tifozët e sportdashësit. Ai ka pasur edhe fatin e mirë, ndonëse me vonesë, që me hapjen e Shqipërisë të luajë me një Dinamo tjetër, nga më të njohurat ekipe në Evropë, Dinamon e Bukureshtit. Edhe pse ato kanë qenë vitet e fundit të karrierës së tij, ai ka shkëlqyer duke shënuar gati mbi 40 gola dhe jo vetëm kaq, por duke qenë ende i vlerësuar si lojtari më i mirë ndër të huajt që kanë luajtur në Rumani”, tha ndër të tjera presidenti Meta.

Shumë e emocionuar, Sulejman Demollari e vlerësoi këtë si një prej ditëve më të veçanta të jetës së tij: “Falenderoj përzemërsisht e me mirënjohje Presidentin Ilir Meta, i cili përherë ka vlerësuar sportistët dhe kontributet e tyre ndër vite. Titulli “Mjeshtër i madh” që më akordoi Presidenti, është një vlerësim i jashtëzakonshëm për mua, e që mendoj se i përket edhe futbollit shqiptar e tifozëve kuqezi”.

Përveç familjarëve, miqve dhe të ftuarve të tjerë, i pranishëm ishte ambasadori i Rumanisë në vendin tonë Mircea Perpelea, i cili gjithashtu vlerësoi Demollarin si futbollist dhe njeri, duke sjellë kujtime nga koha kur Demollari ishte pjesë e Dinamos së Bukureshtit.

Sulejman Demollari luajti për 11 vjet me Dinamon e Tiranës, skuadër ku lindi dhe u rrit si një futbollist i madh. Pas vitit 1991, Demollari u transferua në Rumani te Dinamo e Bukureshtit, skuadër me të cilën luajti për 4 sezone, për ta mbyllur më pas karrierën me Panionisin dhe Gyos në Hungari. Demollari numëron gjithashtu edhe 46 ndeshje me ekipin kombëtar.

FOTO GALERI
1/1
Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh”, trajnerit ish-futbollistit të Dinamos dhe ekipit kombëtar Sulejman Demollari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA