Përgjatë 48 orëve të fundit, Partia Demokratike ka publikuar dokumentet e ardhura nga Italia, ku rezulton se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është dënuar me 7 vjet e 2 muaj burg në shtetin fqinj.

Sipas opozitës, Xhafaj, në cilësinë e kreut të Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve, ka ndërhyrë duke ndryshuar nene të Kodit të Procedurës Penale, për t’i siguruar lirinë e përjetshme vëllait të tij.

Në studion e lajmeve të Top Channel, deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi dha pikëpamjet e tij mbi këtë çështje si dhe mbi vetting-un.

Ju keni qënë nënkryetar i reformës në drejtësi. A keni një koment për akuzën e rëndë se kryetari i Komisionit për Reformën falsifikoi ligjin për mbrojtjen e të vëllait?

Akuza flet vetë. E kemi bërë këtë akuzë herët. Nuk ka shumë për të kuptuar kur dy shkallë të gjyqësorit italian dënojnë vëllain e ministrit të Brendshëm për zotërim rrjeti shpërndarjeje kokaine në Bolonja. Kjo është shumë. Ai tha që nuk dinte gjë fare. Kemi rastin e Tahirit dhe tani ky skandal i jashtëzakonshëm. Xhafaj nuk duhet të ishte aty ku është sot.

Ju keni folur që dy vjet më parë për kolaps të drejtësisë për shkak të Vetting-ut dhe ndërtimit kaotik të ligjeve. Jeni i kënaqur sot që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, ka kaos në prokurori, gjykata, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë?

Askush nuk mund të jetë i kënaqur me këtë situatë kolapsi që ka sistemi i drejtësisë. Ne e kemi thënë që në vitin 2015 se arkitektura e sistemit të drejtësisë do të çojë në kolaps dhe Komisioni i Venecias na dha të drejtë. Na ka dhënë të drejtë dy herë duke rrëzuar dy herë draftet kushtetuese të qeverisë. Një arkitekturë e komplikuar qëllimisht, me synim thërrmimin e sistemit, ribërjen nga zero me qëllim kapjen e tij. Sigurisht që shumë veta në sistemin e drejtësisë janë për burg, por nëse vetting-u i dërgon në pension, në fakt nuk po luftohet korrupsioni. Njerëzit po gënjehen me një hap breshke të vetting-ut pasi janë bllokuar institucionet që do të çonin në burg gjykatës, prokurorë e ministra. Në një vit janë bërë 8 dosje dhe ne presim që për 5 vite të bëhen 800. Pra, shpresa ime është që të paktën të përshpejtohet procesi.
Gjykata Kushtetuese është e vdekur, nuk ka njerëz për të hapur portën. Kjo është tragjedia e sistemit kushtetues.

Top Channel