S’ka protestë, zgjidhja me farmacistët përmes dialogut me ministren

10/05/2018 15:47
Diana Thoma, kreu i Urdhrit të Farmacistëve pas takimit në Ministrinë e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë do të diskutojë me farmacistët për gjetjen e një rruge tjetër për ankesat që kanë këta të fundit në lidhje me çmimet e barnave të vendosur në listën e rimbursueshme.

Dy palët kanë rënë dakort këtë të enjte pas takimit që është zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë mes ministres Ogerta Manastirliu dhe përfaqësuesve të Urdhrit të Farmacistëve.

Më herët, Urdhri i Farmacistëve kishte paralajmëruar një grevë dyorëshe për ditën e premte, por që nuk dihet nëse do ta mbahet apo jo pas zhvillimeve të fundit.

Farmacistët thonë se futja e beftë e listës së barnave të rimbursueshëm u ka krijuar atyre një dëm financiar, pasi disa barna që i kanë blerë më shtrenjtë, tani janë të detyruar t’i shesin me gati një të dytën e çmimit dhe askush nuk ua rimburson.

“Si shembull, Novaldex unë e kam shitur deri tani me çmim të miratuar nga MSh me 620 lekë, ndërkohë që me futjen e beftë të listes duhet ta shes 330 lekë. Është gjithnmonë pika fundore, pra ne farmacitë që paguajmë dëmin”, thotë Erisa Petro, farmaciste.

“Bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm dhe çdo shqetësim do të zgjidhet me dialog. Që nesër ju do të vijoni në grupe të përbashkëta punë me Fondin për të adresuar aty ku është e mundur shqetësimet e ngritura prej jush”, tha Manastirliu gjatë takimit me drejtuesen e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma

Kjo ndodh sa herë hyn në fuqi lista e re e barnave me rimbursim, por nëse do të ishin njoftuar më parë atëherë dëmi financiar, sipas tyre do të ishte më i vogël.

“Do të ishte më i zbutur. Normalisht do të kishte diferenca, por do të ishte më i zbutur, më i kontrolluar”, shton ajo.

Farmacitë kundërshtojnë edhe kontratën e re, që sipas tyre janë detyruar ta nënshkruajnë, ndërkohë që u janë dyfishuar gjobat.

“Për vlerën e plusit, në shitjet me lekë në dorë në vlerë mbi 500 mijë lekë të reja, duhet të paguash si gjobë diku tek 20 për qind të vlerës, ndërkohë që për vlerën e minusit, është dyfishuar gjoba”, tregon farmacistja, Erisa Petro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA