Ditën e mërkurë, Qeveria miratoi një vendim për importimin, përdorimin dhe tregtimin e qeseve plastike, që parashikon eliminimin përfundimtar të tyre. Por ministria e Mjedisit thotë se ky vendim do të hyjë në fuqi pas 2 muajsh për t’i dhënë kohë bizneseve për t’i zëvendësuar me trasta.
“Siç e patë edhe ju në tregun tek ish-Qyteti i Nxënësve tregtarët janë tepër të revoltuar, megjithëse shumica e tyre hezitojnë të flasin me frikën se dikush mund t’i penalizojë. Ato nuk dinë ende nëse ky është një vendim përfundimtar, nga ana tjetër nuk dinë se cilat janë alternativat për t’i zëvendësuar, por thonë se kjo është kosto e shtuar për ta, pasi trastat kushtojnë më shtrenjtë”, thonë tregtarët.
Sasia e qeseve që përdoren në Shqipëri, sipas Ministrisë së Mjedisit është 100 ton në muaj ose 1200 ton në vit. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Mjedisit, rezulton se konsumimi ditor është 8 qese për çdo person në një familje ku ka 4 pjesëtarë. Ndërsa për prodhimin e ambalazheve nga qeset e plastikës konsumohen rreth 20 mijë ton në vit.
Qeset plastike hidhen në mbeturina, por një pjesë e tyre e tyre përfundon në natyrë, duke ndotur mjedisin dhe rrezikuar jetën e banorëve, pasi janë të pashkatërrueshme. Sipas ekologjistëve, që një qese plastike të vetëasimilohet duhen të paktën 200-300 vite, në varësi të densitetit të qeses.
Pas dy muajsh, asnjë qese plastike nuk do të përdoret më. Vendimi i qeverise parashikon gjoba nga 1 deri ne 1.5 milionë lekë.
Top Channel