Pretendimin e Fatmir Xhafes se nuk kishte asnjë pushtet për të mbrojtur vëllain e tij të dënuar për trafik droge, kryedemokrati Lulzim Basha e hodhi poshtë nga foltorja e Parlamentit.
“Si kryetar i reformës në drejtësi ndryshoi Kodin e Procedurës Penale duke kryer vepër penale të falsifikimit”, tha kreu i PD.
Duke njohur simpatinë e ambasadorit amerikan për ministrin e Brendshëm, Basha përdori terminologjinë e Donald Lu.
“Bashkë me të vëllain janë një prej familjeve mafioze. Fatmir Xhafaj është peshku i madh”, shtoi Basha.
Pretendimi i kryedemokratit për të vijuar fjalimin përtej minutazhit të përcaktuar në rregullore, solli bllokimin e foltores, ndërsa Gramoz Ruçi ndërpreu seancën.
Ndërkohë që mediat dolën jashtë, demokratët vijuan përmes mediave sociale. Me Bashën në foltore, Sali Berisha foli nga vendi, ndërsa transmetohej si në Facebook-un e tij, ashtu edhe në atë të kryetarit të PD-së.
Me të mbaruar Berisha, demokratët braktisën seancën, së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në foltoren tashmë të zhbllokuar u shfaq Edi Rama që, pasi ironizoi atë që e quajti “garën e brendshme në PD”, mori në mbrojtje ministrin e tij të Brendshëm.
“Fakti është i njohur botërisht, edhe nga partnerët ndërkombëtarë, nëse nuk do të ishte kështu, do të kishte folur ambasadori amerikan, Bashkimi Europian, ata të cilët s’kanë lënë rast pa folur, pasi s’kanë lënë rast pa verifikuar. Nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale për të”, tha Rama.
Për herë të parë Kryeministri drejtoi gishtin e akuzës nga opozita duke folur për trafikun e kokainës, duke e lidhur atë edhe me lëvizjet në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
“Çështja e kokainës është problem i këtyre dhe kjo nuk është pjesë e asaj historisë kush të shajë më shumë. Arrestimi i atij personit është i lidhur me një histori që ka filluar më parë, të cilën Prokuroria e Krimeve të Renda duhej ta kishte hetuar më parë. E vërteta e trafikut të kokainës, të arrestimit të eksponentit jo të vetëm, të taposjes së hetimeve nga Krimet e Rënda do të dalë”, vijoi Kryeministri.
Pas fjalës së Ramës mazhoranca kaloi direkt në votim të rendit të ditës, ndërsa në sallë u vu re një tjetër firo nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputeti Agron Çela nuk iu bind partisë së tij, duke bashkuar votën pro me mazhorancën.
Top Channel